Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, ka reaguar pas interesimit të madh të mediave dhe opinionit publik lidhur me mospjesëmarrjen e saj në votimin e sotëm për zgjedhjen e Donika Gërvallës si kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Mehmeti-Selimi, e cila është bashkëshortja e ish-deputetit Rexhep Selimi, nuk mori pjesë në procesin e votimit, ndërsa pamjet nga seanca treguan se ajo qëndroi e distancuar, pa i drejtuar vështrimin kolegëve gjatë procedurës.
Në reagimin e saj, deputetja theksoi se vendimi nuk ishte i motivuar nga arsye partiake, por lidhej me një qëndrim personal të hershëm.
“Në përgjigje të interesimit të madh të mediave dhe opinionit publik lidhur me arsyen se pse nuk mora pjesë në votim gjatë seancës së sotme, dëshiroj të sqaroj se mospjesëmarrja ime nuk lidhet me motive partiake. Ajo ka të bëjë me një postim të datës 7 shkurt dhe 25 mars 2020, të cilin po e bashkëngjis në këtë shkrim”, ka deklaruar ajo.

Mehmeti-Selimi shtoi se ky sqarim vjen për hir të transparencës dhe respektit ndaj publikut dhe përkrahësve të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Këtë shpjegim po e bëjë për hir të transparencës dhe respektit ndaj opinionit, mediave dhe në veçanti, përkrahësve e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje. I falënderoj për mirëkuptimin kolegët, aktivistët dhe votuesit e Lëvizjes”, përfundoi ajo.
/tvsyrivision/