Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla dështojnë t’i marrin votat për kryeparlamentare

Deputetët e legjislaturës së nëntë kanë dështuar sërish në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi për kryeparlamentare sërish emrin e Albulena Haxhiut. Deputetët e partive të tjera nuk dhanë përkrahje për kandidaturën e saj rrjedhimisht Haxhiu mori 57 vota pro 56 vota kundër dhe 3 deputetë abstenuan.

Pas kandidaturës së Haxhiut, kandidatura tjetër e LVV-së ishte Donika Gërvalla. Njëjtë si Haxhiu, as emri i Gërvallës nuk gjeti përkrahjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 57 vota për, 56 kundër dhe 3 abstenime nuk mjaftuan që Gërvalla të zgjidhet kryeparlamentare.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, përfundoi seancën e sotme duke caktuar 22 gushtin si datë të mbledhjes tjetër të deputetëve.

Seanca e radhës mbahet të premten në ora 11:00.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se deputetët duhet të zgjedhin me votim të hapur kryeparlamentarin, si dhe një kandidat për kryeparlamentar mund të votohet vetëm deri në tre herë.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës po konsiderohet si urgjencë shtetërore edhe nga presidenca e cila tha se Kosova duhet të ketë sa më parë institucionet në periudhën sfiduese globale dhe rajonale.

“Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit. Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”, kanë thënë nga Presidenca.

Kujtojmë që deri para aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës dështoi konstituimin në 54 tentativa.

Gjykata Kushtetuese e publikoi vendimin me 8 gusht, ndërsa si të plotë e publikoi të hënën e 18 gushtit. /KosovaPress/

Read Previous

Limaj: Nisma s’ka votë pa një marrëveshje politike

Read Next

Krasniqi: VV-së ia votojmë vetëm ndonjë kandidat që s’ka qenë pjesë e Qeverisë