Maqedonci: Autoblindat nga SHBA-ja fuqizojnë FSK-në sipas standardeve të NATO-s

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pas pranimit të autoblindave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka thënë se janë të angazhuar për një ngritje të qëndrueshme dhe progresive të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke siguruar sisteme armatimi në përputhje me standardet e NATO-s.

“Ky përkushtim siguron që FSK të jetë një forcë e avancuar dhe e ndërveprueshme, e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me ushtritë e vendeve anëtare të aleancës euro-atlantike, për të krijuar një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme për gjithë qytetarët tanë”, ka shkruar Maqedonci në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka shprehur mirënjohje të thellë ndaj SHBA-ve.

“Ky angazhim për transformimin e FSK-së në një forcë të fuqishme dhe profesionale nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e një partneri strategjik dhe të pazëvendësueshëm — Shtetet e Bashkuara të Amerikës, miku ynë i përjetshëm”.

Të premten, Kosova ka pranuar autoblindat e prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 dhe shpallja e pavarësisë më 2008, Kosova ka gëzuar mbështetje të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në ndërtimin dhe forcimin e kapaciteteve të saj të sigurisë dhe mbrojtjes.

SHBA-ja ka qenë donatori më i madh bilateral në fushën e mbrojtjes, duke ofruar ndihmë të konsiderueshme materiale, logjistike dhe trajnuese për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). /Albanianpost.com

Read Previous

E ardhmja e Edon Zhegrovës ende e paqartë

Read Next

Ish-ambasadori i SHBA-së në NATO: Nuk jemi më afër një zgjidhjeje paqeje në Ukrainë