Prokuroria propozon dëbimin e Popoviqit për dy vjet nga Kosova

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka propozuar që i akuzuari Igor Popoviq të dënohet me gjobë prej 3 mijë eurosh dhe dëbim prej 2 vitesh nga Kosova, pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë mes të dy palëve.

Sipas aktakuzës, më 18 korrik 2025, rreth mesditës, Popoviq ka mbajtur një fjalim publik në Rahovec me përmbajtje që, sipas Prokurorisë, nxit urrejtje dhe përçarje ndëretnike. Gjatë fjalës së tij, ai ka bërë deklarata që cilësohen si nxitëse ndaj grupeve etnike.

Për këtë masë u pajtua edhe vetë i akuzuari Popoviq dhe mbrojtja e tij.

Prokurorja e rastit, Fikrie Zejnullahu tha se nga marrëveshja, rezulton që gjykatës t’i propozohet shqiptimi i njëjtit dënim, sipas marrëveshjes, për veprën penale për të cilën akuzohet, gjashtë muaj burgim, i cili të zëvendësohet me gjobë në shumën prej 3 mijë eurosh.

Ajo i propozoi gjykatës që në të njëjtën kohë, të shqiptohet edhe dënimi plotësues – dëbimi nga territori i Kosovës për një afat prej dy vitesh, për çka palët janë pajtuar.

Zejnullahu potencoi sekjo marrëveshje i përmbushë të gjitha kriteret që të pranohet nga gjykata.

“Aktakuzës i është bashkangjitur marrëveshja për pranimin e fajësisë…Kjo marrëveshje është e lidhur në përputhje të plotë me dispozitat e kodit të procedurës penale për këto arsye qenësore. Në radhë te parë, i akuzuari Igor Popoviq mjaftueshëm është konsultuar me mbrojtësit e tij që nga fillimi i procedurës penale dhe se ky pranim është në përputhje të plotë me të gjitha provat me të cilat është arsyetuar aktakuza. Konsideroj që kjo marrëveshje i përmbushë të gjitha kriteret që të pranohet nga gjykata…Nga marrëveshja rezulton që gjykatës i propozojmë që t’i shqiptojë po të njëjtit dënim sipas marrëveshjes që për veprën penale për të cilën është akuzuar, të gjykohet me gjashtë muaj burgim, i cili dënim t’i zëvendësohet me dënim me gjobë në lartësi prej 3 mijë euro. Në të njëjtën kohë t’i shqiptohet dënimi plotësues, dëbimi nga shteti i Kosovës në afat prej dy vitesh, për çka edhe jemi pajtuar”, tha Zejnullahu.

Avokati i të akuzuarit Igor Popoviq, Millosh Delleviq tha se i qëndrojnë mbrapa marrëveshjes së arritur me Prokurorinë Speciale.

“Edhe ne si mbrojtje i qëndrojmë mbrapa marrëveshjes së arritur me Prokurorinë Speciale. Janë plotësuar kushtet nga neni 230 i kodit të procedurës penale, pika 17 për pranimin e marrëveshjes nga ana e gjykatës”, tha ai.

Ndërkaq, i akuzuari Igor Popoviq pohoi kur u pyet nga gjyqtari Kujtim Krasniqi nëse marrëveshja për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale është bërë me vullnet dhe pa ndonjë kërcënim.

“A e ke pranuar aktakuzën, a e ke të qartë pse akuzohesh? Po, e qartë. Ke nevojë për ndonjë sqarim shtesë? Jo…Sa i përket marrëveshjes për pranimin e fajësisë a je njoftuar në lidhje me pasojat dhe benefitet e pranimit të pafajësisë? Po. Marrëveshjen a e keni lidhur me vullnet, a keni pasur ndonjë premtim, kërcënim. Me vullnet e keni lidhur? Po”, thanë ata.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Igor Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili u arrestua muajin e kaluar nga Policia e Kosovës.

Arrestimi ndodhi pas mbajtjes së një fjalimi në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku ai u shpreh kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 18 korrik 2025, rreth mesditës, Popoviq ka mbajtur një fjalim publik në Rahovec me përmbajtje që, sipas Prokurorisë, nxit urrejtje dhe përçarje ndëretnike. Gjatë fjalës së tij, ai ka bërë deklarata që cilësohen si nxitëse ndaj grupeve etnike.

Prokuroria vlerëson se përmes këtyre deklaratave, Popoviq ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, duke nxitur mosbesim dhe tensione ndëretnike, dhe duke rrezikuar bashkëjetesën në shoqërinë kosovare.

I akuzuari ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet. /KosovaPress/

Read Previous

​Korriku 2025 ishte i treti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë

Read Next

Cilat pjesë të Gazës kanë mbetur pa u pushtuar nga Izraeli?