Ferrari ndalon dërgesat në Lindjen e Mesme për shkak të luftës
OpenAI, kompania pas suksesit të ChatGPT, po përgatitet për një raund të ri financimi që mund ta çojë vlerësimin e saj në 500 miliardë dollarë, duke e bërë atë kompaninë private të teknologjisë më të vlefshme në botë, përpara SpaceX të Elon Musk, e cila aktualisht vlerësohet rreth 400 miliardë dollarë.
Kompania është në fazën përfundimtare të një marrëveshjeje financimi prej 40 miliardë dollarësh, të udhëhequr nga SoftBank, që e vlerëson OpenAI-n në 300 miliardë dollarë. Sipas burimeve të afërta me negociatat, OpenAI tashmë ka filluar bisedime me investitorë si Thrive Capital për një shitje aksionesh dytësore, që mund të dyfishojë vlerën e saj. Kjo shitje do t’u mundësojë punonjësve dhe ish-punonjësve të likuidojnë aksionet e tyre, me një vlerësim përfundimtar që do të përcaktohet nga interesi i investitorëve. Pritshmëritë janë që ky raund të tejkalojë ndjeshëm shitjen e mëparshme prej 1.5 miliardë dollarësh të kryer në fund të 2024-s.
As OpenAI dhe as Thrive Capital nuk kanë dhënë komente zyrtare për këto zhvillime.
Sipas raportimeve të Bloomberg, ky interes i madh për OpenAI reflekton entuziazmin global për inteligjencën artificiale (IA). Investitorët po garojnë për të mbështetur kompanitë lider në këtë sektor, me shpresën se një aktor kryesor mund të arrijë vlera trilionëshe në të ardhmen. Që nga debutimi i ChatGPT në fund të 2022-shit, OpenAI ka parë një rritje të jashtëzakonshme, me të ardhura vjetore të përsëritshme që kanë arritur në 12 miliardë dollarë. Kompania synon të kalojë 20 miliardë dollarë deri në fund të 2025-s, sipas të dhënave të brendshme.
Konkurrenti kryesor i OpenAI, Anthropic, ka rritur të ardhurat e saj vjetore në 4 miliardë dollarë dhe po negociion një raund financimi që mund ta vlerësojë atë në 170 miliardë dollarë. Megjithatë, si OpenAI ashtu edhe Anthropic po operojnë me humbje për shkak të kostove të larta për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e teknologjive të avancuara të IA-s.
Kompani të mëdha teknologjike, si ato të listuara në bursë, kanë shtuar vlerën e tyre me qindra miliarda dollarë kohët e fundit, falë investimeve masive në IA. Konkurrenca për të tërhequr klientë është intensive, me platforma që ofrojnë zgjidhje për gjenerimin e tekstit, kodit dhe imazheve.
Të martën, Anthropic prezantoi përmirësime të rëndësishme në një nga modelet e saj, duke rritur aftësitë në programim, ndërsa OpenAI lansoi modele “open-weight” të aksesueshme falas për zhvilluesit. Pritet gjithashtu që OpenAI të prezantojë modelin e shumëpritur GPT-5 brenda këtij muaji, një zhvillim që mund të ndryshojë sërish peizazhin e IA-s. /tvsyrivision/