Publikohen të dhënat, pothuajse një në pesë makina të reja në Gjermani është elektrike

Gjermania po përjeton një rritje të fortë të interesit për makinat elektrike, me 48,600 regjistrime të reja vetëm gjatë muajit korrik – një rritje prej 58% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave nga Autoriteti Federal për Transportin Rrugor (KBA), makinat elektrike me bateri (BEV) përbënin 18.4% të të gjitha regjistrimeve të reja në korrik.

Gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2025 janë regjistruar mbi 297,000 automjete elektrike, një rritje prej 38.4% krahasuar me periudhën janar–korrik 2024.

Sipas Shoqatës së Prodhuesve Ndërkombëtarë të Automjeteve (VDIK), kjo rritje lidhet me zgjerimin e ofertës së makinave elektrike të lira dhe të avancuara teknologjikisht.

Megjithatë, gjiganti amerikan Tesla nuk po përfiton nga kjo rritje, pasi shiti vetëm 1,100 njësi në korrik – mbi 55% më pak se një vit më parë.

Në total, në Gjermani u regjistruan rreth 264,800 makina të reja gjatë muajit korrik, një rritje prej 11% në krahasim me vitin e kaluar. /Telegrafi/

Read Previous

Kush janë futbollistët më të paguar të kombëtares shqiptare?

Read Next

Imigracioni i parregullt, Gjermania planifikon zgjerimin e kontrolleve kufitare