Pjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet lokale rrit rrezikun për tentim-zhbërjen e punëve të kryera në veri

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit pritet që ta shënojnë fundin e qeverisjes nga kryetarët shqiptarë në katër komunat e banuara kryesisht me serbë në veri të Kosovës. 

Me pjesëmarrjen e Listës Serbe, subjekt politik serb i përkrahur nga Beogradi zyrtar, në garën lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok, analistë politikë kanë shprehur drojë për ndryshimin të situatës në veri dhe për zhbërjen e të arriturave të shënuara në funksion të shtrirjes së sovranitetit edhe në këtë pjesë të Kosovës.

Në rast se një situatë e tillë ndodhë, një pjesë e kryetarëve aktualë shqiptarë kanë kërkuar që shteti të ndërmerre veprimeve kundër shkeljes së ligjit.

Ilir Peci, kryetari i komunës së Zveçanit, ka thënë se marrja e pushtetit lokal nga serbët në veri nuk përbën problem për të, pasi është shprehur i bindur se vendimet të cilat ai i ka marrë janë vështirë të kthyeshme. 

“Te statusi i komunës, te rregulloret e komunës, gjithmonë shkojnë për aprovim në Ministrinë e Pushtetit Lokal. Nëse ministria nuk e aprovon, edhe ata tentojnë të largojnë vulën… t’i largojnë ato procedura… atëherë shteti duhet të marrë masa edhe mos të lejojë të bëjnë se si kanë bërë deri më tani, ashtu siç kanë dashur vet”, ka deklaruar ai.

Në maj të vitit 2023, vendosja e Pecit në objektin komunal në Zveçan për ushtrimin e detyrës së kryetarit u pati përcjellë me tensione, shkaku i protestave nga qytetarë serbë. Por ai nuk pret që kjo situatë të përsëritet edhe pas zgjedhjeve të 12 tetorit. 

“Jam shumë optimist, nuk besoj që do të ndodhë një gjë e tillë derisa në gjithë veriun e vendit është gjithçka nën kontroll të Policisë. Për momentin gjithçka është në rregull. Nuk besoj që policia do ta lejojë një gjë të tillë, që të vije deri te ajo, por pranë në veri nuk i dihet”, ka thënë ai.

Protestë të serbëve ka pasur më 2023 edhe në komunën tjetër me shumicë serbe, Zubin-Potok.

Izmir Zeqiri, kryetar i kësaj komune, është shprehur i bindur se pas zgjedhjeve të 12 tetorit kushdo që vepron në kundërshtim me ligjin, duke tentuar që t’i heqë flamujt e Kosovës nga objektet komunale dhe të tjera dhe duke e hequr fotografinë e presidentes së Kosovës nga zyrat komunale, duhet që t’i bartë pasojat. 

“…Natyrisht fotografia në zyrë, ka vendime që i kemi marrë. Mirëpo, në momentin që preket flamuri nuk respektohet, e ndryshohet situata, aty është një shkelje ose uzurpim që nuk do të lejohet. Nuk mendoj që mund dhe s’duhet të lejohet në qoftë se nuk i ka ditë rregullat ligjore çfarë neve na ofron Republika e Kosovës. Në të kundërtën duhet të ketë dënime. Për mendimin tim është stërtepruar me një formë përkëdhelja”, ka thënë ai. 

“Nuk besoj se ata që e kanë mbajtur ligjin në dorë, siç janë grupet terroriste të Radojçiqit, ata kanë mbajt ligj, kanë mbajt pushtet dhe natyrisht ndikim mbi qytetarin, frikësim mbi qytetar, shantazhe të ndryshme. Ata nuk guxojnë, se e dinë se çfarë sherri kanë bërë”.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Komercialja e pezulloi vendimin për “treg të lirë”, ZRRE thotë se sot nis shkyçjen e konsumatorëve

Read Next

Rama batuta gjatë intervistës për revistën gjermane