Katër persona ndalohen në Gjakovë për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Gjakovë, 23 korrik 2025 – Katër persona janë ndaluar sot në Gjakovë me urdhër të Prokurorisë Themelore, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, transmeton TV Syri.

Sipas burimeve të TV Syri, të arrestuarit janë: Arben Bakalli, Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Gjakovës; Afërdita Lama, ish-drejtoreshë e Kadastrës, tani në pension; Elida Bejtullahu, urbaniste; dhe Arianit Kupa, zyrtar komunal.

Ndalimi i tyre lidhet me dyshime për përfshirje në procedura të kundërligjshme brenda institucioneve komunale. Të katër personat janë ndaluar për 48 orë, ndërsa veprimet hetimore po zhvillohen nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim me prokurorin e rastit.

“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore Gjakovë,  me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar katër (4) persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale  “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetin zyrtar”.

Prokurori i Shtetit, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast.”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Hetimet janë ende në vijim dhe priten detaje të tjera lidhur me rastin në ditët në vijim. /tvsyrivision/

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Shoqëria civile: Ndërprerja e seancës së sotme e jashtëligjshme dhe arbitrare

Read Next

Detaje nga operacioni që çoi në ndalimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve komunal në Gjakovë