Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar të martën se subjekti ku ndodhi aksidenti tragjik në Gjakovë të hënën, në të cilin humbën jetën dy punëtorë, është dënuar më parë dy herë për shkelje të përsëritura në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.
“Kjo e bën edhe më të papranueshëm faktin që nuk janë ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve”, thuhet në reagimin e Inspektoratit Qendror të Punës, i cili ka bërë apel për ndërgjegjësim publik dhe institucional.
“Duke qenë se aksidentet në punë përbëjnë një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve, bëjmë thirrje publike për të gjithë punëdhënësit, subjektet afariste dhe institucionet relevante që të ndërmarrin masa konkrete dhe të menjëhershme për parandalimin e rreziqeve në vendin e punës, në përputhje me Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë”.
Inspektorati Qendror i Punës ka theksuar gjithashtu se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 janë kryer gjithsej 4,751 inspektime në vendet e punës në gjithë territorin e Kosovës. Në këtë periudhë janë shqiptuar 788 dënime për shkelje të ligjit, ndërsa janë regjistruar 268 aksidente në punë, prej të cilave shtatë kanë përfunduar me fatalitet.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur të hënën se dy persona janë ndaluar për 48 orë pas rastit të vdekjes së dy punëtorëve të sektorit të ndërtimtarisë në një vendpunishte në Gjakovë. Ndryshe, edhe një punëtor që kishte pësuar lëndime muajin e kaluar në vendin e punës ka ndërruar jetë të hënën në Qendrën Klinike Univeristare.