Eurostat zbulon: Popullsia e BE-së në nivel historik falë emigracionit

Popullsia e Bashkimit Evropian ka arritur në një rekord prej 450.4 milionë banorësh në vitin 2024, duke shënuar një rritje të konsiderueshme kryesisht për shkak të migracionit, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.

Prej vitit 2012, numri i vdekjeve në BE ka tejkaluar atë të lindjeve, duke e bërë migracionin burimin e vetëm të rritjes demografike. Sipas raportit të Eurostat, blloku ka shtuar 1.07 milionë banorë vitin e kaluar, për shkak të një migrimi neto pozitiv prej 2.3 milionë personash, që ka kompensuar rënien natyrore prej 1.3 milionë banorësh.

Përveç kësaj, janë regjistruar 4.82 milionë vdekje, krahasuar me 3.56 milionë lindje. Kjo prirje thekson sfidat demografike që po përballet Evropa, ku plakja e popullsisë dhe normat e ulëta të lindshmërisë po e vënë sistemin social dhe tregun e punës nën presion, duke thelluar mungesat e fuqisë punëtore.

Franca, Gjermania dhe Italia vazhdojnë të mbeten shtetet me popullsinë më të madhe në BE, duke përfaqësuar së bashku 47% të popullsisë totale të bllokut.

Nga 27 vendet anëtare të BE-së, 19 regjistruan rritje të popullsisë, ndërsa 8 shënuan rënie. Malta ka pasur rritjen më të madhe të popullsisë, me 19 banorë për çdo 1000 persona, e ndjekur nga Irlanda (16.3) dhe Luksemburgu (14.7).

Në anën tjetër, Letonia ka regjistruar rënien më të theksuar, me -9.9, pasuar nga Hungaria (-4.7), Polonia dhe Estonia, që shënuan një rënie prej -3.4. Për krahasim, popullsia e BE-së në vitin 1960 ishte 354.5 milionë banorë. /GazetaSinjali/

Read Previous

Njihuni me 17-vjeçarin e quajtur “Usain Bolt i ardhshëm”

Read Next

Reece James flet para finales Chelsea-PSG