ZRRE: Gjykata refuzoi kërkesën për vendosjen e masës së sigurisë ndaj liberalizimit të tregut

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesat për vendosjen e masës së sigurisë ndaj liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Vendimi, i marrë më 9 korrik, vjen pas shqyrtimit të dy kërkesave të ndara të paraqitura nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), si dhe nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës (SHPK).

Këto kërkesa kishin për qëllim pezullimin e zbatimit të liberalizimit që ka hyrë në fuqi nga 1 qershori, duke detyruar mbi 1 mijë e 300 biznese të kalojnë në tregun e hapur për furnizim me energji elektrike.

Për ato biznese që ende nuk kanë arritur marrëveshje me ndonjë furnizues, ZRRE ka angazhuar KEK-un si furnizues të përkohshëm për një periudhë gjashtëmujore.

Në arsyetimin e saj, Gjykata ka vlerësuar përfitimet e liberalizimit të tregut, përfshirë rritjen e konkurrencës mes furnizuesve, mundësinë për çmime më të ulëta, shërbime më cilësore dhe rritjen e efikasitetit në sektorin energjetik.

“Gjykata ka vlerësuar se paditësit nuk kanë dëshmuar plotësimin e të dy kritereve që i përjashtojnë nga obligimi për të dalë në treg të lirë – më pak se 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor nën 10 milionë euro – duke konstatuar se ZRRE ka vepruar në përputhje me ligjin në fuqi”, thuhet në njoftim.

ZRRE ka kujtuar se, sipas nenit 3 pika 1.72 dhe nenit 37 të Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, “ndërmarrjet me më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro nuk kanë të drejtë për furnizim me shërbim universal dhe duhet të furnizohen përmes tregut të lirë”.

Në përmbyllje, ZRRE u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që i plotësojnë kriteret ligjore të tregut të hapur që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të siguruar furnizues të rinj, duke përfituar nga konkurrenca.

ZRRE ka theksuar përkushtimin e saj për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik, me qëllim krijimin e një tregu të hapur, funksional dhe të harmonizuar me standardet evropiane”, përfundon njoftimi. /GazetaSinjali/

Read Previous

Parlamenti Evropian konfirmon mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Read Next

Avokati Bokshi: Blerim Vallës i ishte ngritur aktakuzë e pabazuar