Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, së bashku me ministrin e Mbrojtjes të Belgjikës, Theo Francken, në një konferencë të përbashkët për media njoftuan një hap të ri në zhvillimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve, raporton Gazeta Sinjali.
Maqedonci theksoi se Belgjika ka miratuar zyrtarisht mirëpritur atasheun e mbrojtjes së Kosovës në Bruksel, duke kontribuar gjithashtu në sigurinë e vendit nëpërmjet angazhimit të trupave ushtarake belge në kuadër të KFOR-it. Ky hap do të forcojë më tej marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.
“Mirënjohës pafund për mbështetjen që Belgjika i ka ofruar Kosovës që nga viti 2008, ndërsa jam tejet i entuziazmuar për marrëdhëniet tona që po fillojnë të thellohen në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.”, shkroi ai në Facebook.
Ministri Maqedonci gjithashtu theksoi rëndësinë e Belgjikës si një aleat të besueshëm të Kosovës në Ballkanin Perëndimor, duke shprehur optimizëm për forcimin e mëtejshëm të partneritetit me këtë shtet.
“Në Ballkanin Perëndimor, Belgjika gjithmonë do të ketë Kosovën aleat të besueshëm të saj. Bedankt België!”, përfundoi Maqedonci.