Haradinaj: Kërkojmë të kthehet votimi i hapur ose s’ka ndryshim

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani tha se nuk do të ketë ndonjë ndryshim deri në rikthimin e votimit të hapur për kandidatin për kryeparlamentarë.

Ai tha se presidentja është e shqetësuar pasi që koha është duke ecur shpejtë, shkruan KosovaPress.

Ai e vlerëson këtë si një situatë tejet të rëndë, duke theksuar se pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ka shpresuar se Lëvizja Vetëvendosje do të ndryshonte praktikën e votimit.

“Situata është bukur e rëndë, ne kemi shpresuar që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do ta shfrytëzojë mundësinë Vetëvendosja për të ndryshuar praktikën, për ta kthyer në votim të hapur. Ne kemi shpresuar se do të mbërrimë edhe te një kandidat konsesual që do t’ia japim votën, kemi ngecur te komisioni që në të vërtetë është një pozicion i gabuar edhe në bazë të rregullores”, tha Haradinaj.

Tutje, Haradinaj shtoi se AAK-ja do të votojë për, për një kandidat konsensual dhe me votim të hapur.

Ndërsa, për kërkesat që do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese nga PDK-ja e LDK-ja për çështjen e praktikës së votimit, e keqja e saj sipas tij është se ato po marrin kohë, e koha e tyre po ecën.

“Ne qëndrimet i kemi dhënë me kujdes, në mënyrë që ta ndihmojmë gjendjen. Kemi kërkuar të kthehet praktika e votimit që të votohet, jo me ardhë praktikat e votimit që mos me votu dhe për ata që nuk kem votë do të votojmë kundër. Për kandidat konsensual do të votojmë për, kjo është përparësia, po shpresojmë se do ta gjejmë një rrugë për t’u kthye tek votimi i hapur. Kam dëgjuar se po punohet për dy kërkesa për gjykatën, për çështjen e praktikës së votimit, e keqja e kësaj është se ato po marrin kohë, e ne koha po na ecë.. Një temë që u diskutua seriozisht edhe çka ndodh pas 30 ditësh”, shtoi Haradinaj.

Në fund, Haradinaj tha se zhvillimet pas 30 ditësh, mund të jenë dramatike, pasi që Gjykata Kushtetuese mund të kthej të gjitha në pikën zero, sikurse nuk janë mbajtur zgjedhjet fare.

Përveç Haradinaj, presidentja Osmani është takuar edhe me liderët e tjerë të partive politike, të cilët nuk shprehën ndonjë vullnet për ndonjë ndryshim në seancën e 41-të për konstituimin e Kuvendit, e cila do të mbahet të enjten në ora 11:00.

Read Previous

Ministria e Financave publikon udhëzuesin për përfitimin e shtesave për fëmijë dhe lehona

Read Next

Dogana sekuestron 79 telefona te një mobilshop