Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se do të bëjnë gjithçka që Kuvendi i ri të konstituohet deri në fundin e korrikut dhe në frymën e bashkëpunimit mes partive politike.
Pas një takimi që zgjati rreth dy orë me presidenten Vjosa Osmani të mërkurën, Kurti u shpreh se afatet ligjore janë duke rrjedhur dhe se konstituimi i legjislaturës së re duhet të ndodhë në javën e fundit të korrikut.
“Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, me idenë e konsensusit apo kompromisit, ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që më pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re”, ka thënë Kurti.
Ai bëri të ditur se në takim me Osmanin janë diskutuar të gjitha elementet përbërëse të procesit.
Kurti u shpreh se duhet pritur që të përfundojnë edhe takimet e presidentes me përfaqësuesit e partive të tjera, “për të vlerësuar nëse do të arrihet përparim i mjaftueshëm”.
“Besoj duhet t’i japim shans edhe takimeve të tjera, e më pas të shohim cili është progresi”, u shpreh Kurti.
Gjykata Kushtetuese më 26 qershor obligoi deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh.
Të shtunën, me ftesë të Kurtit pati takim me përfaqësues të të gjithave partive parlamentare joserbe. Por takimi s’prodhoi diçka të re./koha.net/