Hovenier: Kosovën e ndihmuam të dalë nga tmerret e spastrimit etnik të regjimit të ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Millosheviq

USAID përmbyll misionin e saj historik pas gjashtë dekadash në shërbim global, ndërsa ish-ambasadori i SHBA-së në Prishtinë e cilëson Kosovën shembull të suksesit të saj, veçanërisht pas luftës së viteve 1998-1999.

Ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka reaguar pas shuarjes së Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), duke shprehur mirënjohje për kontributin e saj në ngritjen e Kosovës pas luftës.

“Dua të shpreh solidaritetin dhe mirënjohjen time për të gjithë kolegët, veçanërisht ata nga USAID-i, për gjithçka që kanë bërë për këtë komb, sidomos në një vend sikurse Kosova, popullin e së cilit e kemi ndihmuar të dalë nga tmerret e spastrimit etnik të regjimit të ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviqit, dhe për të ndërtuar një shoqëri funksionale, demokratike dhe të suksesshme”, ka deklaruar ai.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka njoftuar se USAID-i ka pushuar zyrtarisht të gjitha aktivitetet, duke shënuar një fund historik për agjencinë amerikane të ndihmës së jashtme pas më shumë se gjashtë dekadash në shërbim global.

USAID-i ka luajtur një rol kyç në Kosovë, dhe që nga paslufta ka investuar mbi 1 miliard dollarë në vend, duke financuar një sërë aktivitetesh, përfshirë mbështetjen e forcimit të sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe demokracisë, krahas përmirësimit të arsimit, gjithpërfshirjes e llogaridhënies, si dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës./reporteri/

Read Previous

Presidentja Osmani takon sot veç e veç krerët politikë

Read Next

Prattipati: Historia e Kosovës jehon me atë të SHBA-së