Cakolli: Kryesuesi Dehari sërish e mbylli seancën në mënyrë arbitrare

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka komentuar seancën e fundit të Kuvendit, ku edhe për të 40-në herë dështoi konstituimi i Kuvendit.

Cakolli në një postim në Facebook shkruan se kryesuesi Avni Dehari e mbylli seancën në mënyrë arbitrare.

“Sot, për të dytën herë pas aktgjykimit, kryesuesi Avni Dehari sërish e mbylli seancën në mënyrë arbitrare.  Kjo është jo vetëm shkelje e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe cenim i të drejtës kushtetuese të deputetëve për të votuar. Refuzimi për të kaluar në votim të fshehtë – ndonëse mocionet procedurale nuk lejohen fare – nuk mund të interpretohet njëanshëm si dështim i seancës. Përkundrazi, në mungesë të ndryshimit të procedurës, seanca duhet të vazhdojë me votim të hapur, siç është standardi”, tha ai.

Sipas tij, me një qasje të tillë bllokuese, tashmë Kryesuesi, efektivisht po refuzon ta drejtojë seancën.

“E një situatë e tillë është e sanksionuar qartë me nenin 9 (2) të Rregullores së Kuvendit, që përcakton se kur kryesuesi refuzon ta drejtojë seancën, ai duhet të zëvendësohet nga deputetë të tjerë, sipas kriterit të moshës”, u shpreh Cakolli. /Telegrafi/

Read Previous

Haxhiu: Jemi të gatshëm për takime me Osmanin

Read Next

Ambasada amerikane bën përgatitjet për festimin e 249-vjetorit të Pavarësisë