Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar sot në qytetin e Klinës, nën dyshimet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj një të ndaluari, duke tejkaluar kështu kompetencat e tyre zyrtare.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se incidenti ka ndodhur gjatë një operacioni policor për arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Kanosje”.
“Sipas raportit fillestar, patrulla policore ka ndërhyrë në një shtëpi në Klinë për të arrestuar një të dyshuar për ‘Kanosje’. Pas arrestimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka deklaruar Nikçi.
Megjithatë, ai shtoi se pas analizimit të provave të mbledhura, është konstatuar se ndaj të ndaluarit është ushtruar dhunë fizike, çka përbën elemente të veprës penale të keqtrajtimit nga ana e zyrtarëve policorë.
“Udhëheqësi i kësaj patrulle policore bashkë me dy zyrtarë të tjerë kanë ushtuar dhunë fizike ndaj të pandehurit. Të njëjtit sot janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë ndalur për 48 orë’’, ka thënë ai.
Përmes një njoftimi për media nga Inspektorati Policor i Kosovës bëhet e ditur se Prokuroria Themelore në Pejë në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës, pas grumbullimit të provave dhe analizimit të tyre, kanë arrestuar sot tre zyrtarë policorë, të cilët dyshohen se gjatë arrestimit të një personi kanë tejkaluar autorizimet e tyre dhe kanë keqtrajtuar fizikisht të njëjtin derisa i njëjti ishte i prangosur.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit (zyrtarë policorë) janë ndaluar për 48 orë për veprën penale ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’. Hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/