Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, udhëton sonte drejt Shkupit, ku do të marrë pjesë në një darkë pune me liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Takimi është organizuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin drejt integrimit evropian.
Pjesëmarrjen e Kurti e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi në detyrë i qeverisë, Përparim Kryeziu.
Kurti të martën pritet të marrë pjesë edhe në panelin e parë të diskutimeve, me fokus në Planin Evropian të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, do të udhëheqë takimet dyditore me liderët e rajonit, me qëllim përshpejtimin e reformave dhe ndarjen e fondeve të planifikuara nga BE-ja.
Sipas Komisionit Evropian, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, kanë përfituar tashmë fondet e para nga faza e para-financimit të këtij plani.
Takimi në Shkup do të shërbejë edhe si platformë për të shqyrtuar fusha të reja të bashkëpunimit rajonal, si mbrojtja e konsumatorëve, turizmi dhe integrimi ekonomik në tregun e përbashkët të BE-së. /Telegrafi/