Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka konfirmuar në raportin e saj më të fundit të situatës se Shqipëria ka raportuar për herë të parë një rast të konfirmuar të lisë së majmunit (Mpox), një sëmundje ngjitëse që ka prekur mijëra njerëz që nga shpërthimi i saj në maj 2022.
Raporti i publikuar më 27 qershor 2025 tregon se gjatë muajit maj janë regjistruar 6 mijë e 823 raste të reja dhe 16 viktima globalisht.
Shumica e rasteve janë regjistruar në vendet e Afrikës, ku 18 shtete raportojnë transmetim aktiv të vazhdueshëm.
Sipas OBSH-së, rastet në rritje e sipër përbëjnë ende një emergjencë shëndetësore ndërkombëtare.
Shqipëria i bashkohet vendeve që raportojnë për herë të parë praninë e virusit, përkrah Italisë, Maqedonisë së Veriut, Togos, dhe Kongos.
Mpox shkaktohet nga virusi monkeypox (MPXV), i cili transmetohet përmes kontaktit të ngushtë me persona të infektuar apo sipërfaqe të ndotura.
OBSH thekson se po përhapen dy klade të ndryshme të virusit: Ib dhe IIb, të cilat janë identifikuar në rastet e reja.
Ndërkohë, 7 vende të Afrikës kanë filluar fushata vaksinimi me vaksinën MVA-BN (e njohur si JYNNEOS), me mbi 731 mijë doza të administruara deri tani.
Në Evropë dhe rajone të tjera, vaksinat janë ende të kufizuara.
OBSH dhe CDC këshillojnë kujdes të shtuar për ata që udhëtojnë në vendet me shpërthime aktive të sëmundjes dhe theksojnë rëndësinë e ndjekjes së masave parandaluese, si higjiena, shmangia e kontakteve të ngushta dhe raportimi i simptomave të dyshimta.
Çfarë është lija e majmunit?
Lija e majmunit është një virus që e ka prejardhjen nga kafshët e egra, si brejtësit dhe primatët, dhe që ndonjëherë kalon tek njerëzit. I përket të njëjtës familje virusesh si sëmundja e lisë.
Shumica e rasteve të identifikuara tek njerëzit ka qenë në Afrikën qendrore dhe perëndimore, dhe përhapja ka qenë relativisht e kufizuar.
Sëmundja u identifikua fillimisht nga shkencëtarët në vitin 1958, kur pati dy valë përhapjeje të një sëmundjeje që i ngjasonte lisë në radhët e majmunëve që përdoreshin për punë kërkimore – që atëherë mori emrin lija e majmunit. Infektimi i parë i një njeriu ndodhi në vitin 1970 – një djalë në një zonë të largët të Kongos.