Kurti: Serbia mund të nxisë incidente në Gazimestan

Institucionet e sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës kanë vlerësuar se ka përpjekje që tubimi në Gazimestan në shënimin e festës së Vidovdanit të jetë masiv, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se pushteti në Serbi mund të nxisë incidente në Gazimestan, që ta heqë vëmendjen nga protestat e brendshme që do të zhvillohen nesër në Beograd.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të respektojnë ligjin, dhe të mos bien pre e provokimeve.

“Për të hequr vëmendjen nga protestat antiqeveritare në të njëjtën ditë në Serbi, pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan. Sipas vlerësimeve të institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv. Prandaj janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja që të vijnë nesër në Kosovë. Tradicionalisht grupet e tilla kanë qenë provokuese. U bëjmë thirrje bashkëqytetarëve, sidomos komunitetit serbë të respektojnë ligjin. U bëjmë thirrje bashkatdhetarëve që të mos bien pre e provokimeve nesër”, ka thënë ai. /Koha.net/

Read Previous

Gjermania pezullon për dy vite bashkimin familjar për refugjatët pa status të plotë azili

Read Next

“Telegraph”: Shqipëria kryeson listën e 10 vendeve më të mira evropiane për pushime në plazh