Shtëpia e Bardhë rekomandon përfundimin e financimit për programe ndërkombëtare të llogaridhënies për krime lufte

Shtëpia e Bardhë ka rekomanduar ndalimin e financimit amerikan për rreth 20 programe që fokusohen në punën për llogaridhënie rreth krimeve të luftës në vende si Myanmar, Siria dhe Ukraina, sipas burimeve amerikane dhe dokumenteve të brendshme qeveritare të analizuar nga agjencia Reuters.

Rekomandimi, i bërë nga Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit (OMB), nuk është vendim përfundimtar, pasi Departamenti i Shtetit ka të drejtë të apelojë për programet që mund të vazhdojnë. Ky vendim vjen në një kohë kur pritet një debat mes OMB-së dhe sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me programet që duhet të mbeten aktive.

Programet e prekura mbulojnë edhe vende të tjera si Irak, Nepal, Sri-Lanka, Kolumbi, Bjellorusia, Sudan, Afganistan dhe Gambia. Ndër to përfshihet edhe projekti “Global Rights Compliance” që mbështet grumbullimin e dëshmive për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Ukrainë, përfshirë dhunën seksuale dhe torturën.

Burimet theksojnë se shumë nga këto programe kanë ekzistuar për dekada dhe janë mbështetur nga administrata të ndryshme, por tani përballen me ndërprerje për shkak të politikave të administratës Trump për të përqendruar financimet në prioritetet e agjendës “Amerika e Para”. /GazetaSinjali/

Read Previous

Sa para do të fitojë Cristiano Ronaldo me kontratën e re me Al Nassr?

Read Next

Shitjet e Tesla-s vazhdojnë të bien, a është koha që Elon Musk të tërhiqet?