Vendosja e më shumë sanksioneve ndaj Rusisë, siç dëshirojnë Kievi, BE-ja dhe ligjvënësit amerikanë, mund ta pengojë Uashingtonin të negociojë një armëpushim në Ukrainë, tha sot sekretari i Shtetit Marco Rubio.
“Të gjithë duhet ta kuptojnë se në momentin që vendosim sanksione shtesë ndaj Rusisë, do të kemi bërë atë që të gjithë prisnin, por ndoshta do të humbasim aftësinë tonë për të diskutuar armëpushimin me ta”, tha ai në një intervistë me “Politico”.
“Dhe pastaj, kush do të flasë me ta? Ata nuk flasin me askënd tjetër në botë që është në anën tonë dhe që i sheh gjërat ashtu siç i shohim ne”, shtoi ai.
Përballë pushtimit të vazhdueshëm rus të Ukrainës të nisur në vitin 2022 dhe përkeqësimit të ngadaltë të rezistencës së Kievit, disa nga mbështetësit e saj po bëjnë thirrje për sanksione më të ashpra kundër Moskës, përfshirë edhe nga Shtetet e Bashkuara, të cilat deri më tani kanë refuzuar ta bëjnë këtë, ndërsa nuk e përjashtojnë mundësinë.
Samiti i G7-s në Kanada në mesin e qershorit dështoi të arrinte një konsensus midis ekonomive kryesore perëndimore, i ndërprerë nga largimi i menjëhershëm i Donald Trump nga takimi për shkak të luftës Iran-Izrael.
Presidenti amerikan, i cili ka intensifikuar diskutimet e tij me Vladimir Putin që nga marrja e detyrës, nuk e fsheh dëshirën e tij për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur. Përpjekjet e tij deri më tani nuk kanë rezultuar në një armëpushim.
“Presidenti do të dijë kohën dhe vendin e duhur për të vendosur për sanksione të reja të mundshme. Ai tha se mund ta bënte, por nëse e bën, është pothuajse një pranim se nuk do të ketë negociata së shpejti. Pra, ai dëshiron t’i japë vetes çdo mundësi për të ndikuar në Federatën Ruse për të arritur një armëpushim. Ky është opsioni që ai po përpiqet të ruajë, sepse është opsioni i paqes”, theksoi Rubio.
Nga ana e saj, BE ka propozuar miratimin e një pakete të re sanksionesh evropiane për të ulur të ardhurat e Rusisë nga nafta. /ATSH-AFP/