​“Kosova ka bërë hapa domethënës drejt transformimit digjital dhe reduktimit të barrës administrative”

Në konferencën rajonale të organizuar nga Demokraci Plus me temën “Fuqia e Pjesëmarrjes: Ulja e Barrës Administrative Përmes Angazhimit të Qytetarëve dhe Bizneseve në Ballkanin Perëndimor”, u theksua se Kosova ka bërë hapa të dukshëm drejt digjitalizimit dhe thjeshtësimit të disa shërbimeve publike.

Folësit nënvizuan rëndësinë e reformave sistematike dhe pjesëmarrjes aktive të qytetarëve, shoqërisë civile dhe bizneseve për të garantuar një administratë publike më efikase, transparente dhe gjithëpërfshirëse.

Zyrtari kryesor teknologjik në Zyrën e Kryeministrit, Lulëzon Jagxhiu tha se Kosova ka bërë hapa domethënës në drejtim të transformimit digjital dhe reduktimit të barrës administrative.

Ai theksoi se aktualisht, qytetarët dhe bizneset kanë në dispozicion mbi 250 shërbime në portalin shtetëror e-Kosova, ndërkohë që më shumë se 750 shërbime janë thjeshtuar si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal

“Në vitet e fundit, kemi pasur, do të thosha, përparim të rëndësishëm, arritje domethënëse në fushën e transformimit digjital dhe reduktimit të barrës administrative. Sot në E-Kosova, që është portali ynë kryesor dhe qendror i qeverisë për shërbime për qytetarët dhe bizneset në Kosovë, kemi më shumë se 250 shërbime. Në të njëjtën kohë, përmes Programit për Reduktimin e Barrës Administrative, më shumë se 750 shërbime janë thjeshtësuar në nivelin qendror dhe lokal. Përparimi gjithashtu është njohur nga raporti më i fundit i OSCD Sigma, pra në raportin e vitit 2024, kemi parë që Kosova tashmë është mirë mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor në komponentin e ofrimit të shërbimeve dhe digjitalizimit, që është një përparim i rëndësishëm krahasuar me dy vite më parë kur ishim nën atë mesatare”, tha Jagxhiu.

Jagxhiu theksoi se transformimi digjital nuk është thjesht një çështje numrash apo krahasimesh statistikore, por një proces i thellë reformash.

Ai shpjegoi se për të qenë ky transformim i qëndrueshëm, i sigurt dhe gjithëpërfshirës, është e domosdoshme të ndërmerren reforma sistematike në mënyrën se si funksionon administrata publike.

Sipas tij, këto ndryshime thelbësore janë thelbi i suksesit të digjitalizimit në Kosovë.

“Por kur flasim për transformim digjital, është shumë më tepër sesa për numra, për tregues krahasues, dhe do të thosha për rezultate të dukshme. Është thelbësisht për reformë, sepse për ta bërë transformimin tonë digjital të qëndrueshëm, të sigurt dhe gjithëpërfshirës, gjithashtu duhet të marrim reforma shumë sistematike dhe të thella në mënyrën se si funksionon administrata jonë publike”, tha Jagxhiu.

Shefi i Departamentit të Mediave dhe Komunikimit në Ambasadën Gjermane në Kosovë, Christian Böttcher nënvizoi presionin në rritje mbi qeveritë e Ballkanit Perëndimor për të ofruar shërbime publike më të shpejta, transparente dhe të përshtatura me nevojat e qytetarëve.

Böttcher theksoi se reduktimi i barrës administrative është një hap i rëndësishëm, por siç tha ai ndryshimi i qëndrueshëm vjen vetëm kur reformat udhëhiqen nga qytetarët, shoqëria civile dhe bizneset.

Sipas tij, pjesëmarrja aktive është çelësi për të zbuluar këto pengesa dhe për t’i adresuar me sukses.

“Qeveritë në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe përtej tij janë nën presion të shtuar për të ofruar shërbime publike që janë më të shpejta, më transparente dhe që u përgjigjen nevojave reale. Reduktimi i barrës administrative është një hap përpara. Por ndryshimi i vërtetë dhe i qëndrueshëm ndodh kur reformat formësohen nga ata që i përjetojnë ato – qytetarët, shoqëria civile dhe bizneset. Kjo është ajo ku pjesëmarrja bëhet jo vetëm e rëndësishme, por thelbësore…Shpesh, barrët administrative janë të padukshme – në radhët e gjata, në procedurat e paqarta, dhe në fund, në vendime të heshtura për të hequr dorë nga një shërbim që duket shumë i ndërlikuar. Këto pengesa i godasin më së shumti grupet më të cenueshme. Pjesëmarrja i sjell ato në dritë dhe na jep një mundësi për t’i rregulluar”, tha Böttcher.

Laura Fallavollita nga Zyra e BE-së, Ekipi për Qeverisje të Mirë dhe Kapital Njerëzor tha se reduktimi i barrës administrative nuk është thjesht një çështje teknike, por një proces me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe bizneseve, pasi nxisin joefikasitet dhe dobësojnë besimin në administratën publike.

Fallavollita vlerësoi përparimin që Kosova po bën në këtë fushë, duke përmendur veçanërisht programin për reduktimin dhe digjitalizimin e shërbimeve.

“Reduktimi i barrës administrative nuk është thjesht një ushtrim teknik, siç është thënë tashmë nga folësit e mëparshëm, sepse barrët që rëndojnë qytetarët dhe bizneset kanë një kosto reale, dhe ato pengojnë jo vetëm mundësitë, por shërbimet që nuk janë efektive mund të krijojnë kufizime në mundësi, joefikasitet, dhe në fund të fundit, ato gërryejnë transparencën dhe besimin në administratën publike…Dhe Kosova po bën vërtet përparim të mirë me këtë program për reduktimin dhe thjeshtimin e shërbimeve, për dixhitalizimin e shërbimeve…Më lejoni të them gjithashtu që reduktimi i barrës administrative dhe dixhitalizimi janë gjithashtu çelësa në kuadrin e reformave dhe mekanizmit të rritjes për Kosovën. Disa hapa, dhe për rrjedhojë disbursimi i disa fondeve, janë të lidhura me realizimin e këtyre reformave. Dhe kjo është gjithashtu një dëshmi e rëndësisë që i kushtoni kësaj dhe e mënyrës se si ne duam të mbështesim dhe të inkurajojmë përmbushjen e këtij përparimi në reduktimin e barrës administrative”, tha Fallavollita.

Analistja e Lartë e Politikave në Demokraci Plus, Albana Rexha theksoi rolin e rëndësishëm që ka shoqëria civile në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.

Rexha tha se fillimisht duhet fokusuar në thjeshtësimin e shërbimeve përpara se të kalohet në digjitalizim, në mënyrë që të mos kalohet nga burokracia tradicionale në një burokraci digjitale.

“Shoqëria civile ka mundësitë, kapacitetet të kontribuoj në shumë mënyra në cilësinë e shërbimeve publike. Nëse e shohim raportet e SIGMA-ës vërehet se janë katër apo pesë elemente me të cilat mundet shoqëria civile të përfshihet duke filluar nga dizajnimi i vetë këtyre shërbimeve. Në fillim nga thjeshtësimi i procedurës, nga qasshmëria në këto shërbime. Pastaj digjitalizimi me gjithë, është shumë e rëndësishme që burokracia mos të shndërrohet në digjitalizim por fillimisht të bëjë thjeshtësimin e shërbimeve të caktuara, pastaj të kalojë në digjitalizimin e tyre. Dhe në fund kënaqshmëria apo monitorimi i përdoruesve me ato shërbime si dhe monitorimi i zbatimit të këtyre planeve”, potencoi Rexha.

Reduktimi i barrës administrative dhe transformimi digjital janë ndër prioritetet kryesore të qeverive në Ballkanin Perëndimor, duke pasur parasysh nevojën për të përmirësuar efikasitetin e shërbimeve publike dhe për të lehtësuar jetën e qytetarëve dhe bizneseve. /KosovaPress/

Read Previous

Igli Tare konfirmon interesimin e Milanit për Xhakën dhe Jasharin

Read Next

​Kosova me shtatë garues në Evropianin e Xhudos