Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Albin Kurtit, i cili ka sugjeruar se opozita po ia zgjat mandatin.
Në një deklaratë për media, Abdixhiku ka thënë se këto komente të Kurtit janë të pakuptimta dhe të pabazuara.
“Mos i dëgjoni të gjithë njerëzit që flasin pa fije intelegjence. Si po ja zgjasim mandatin zotit Kurti? Është jolegjitim, pa mandate, e ka uzurpuar detyrën e kryeministrit në të njëjtën kohë”, u shpreh ai.
Ai shtoi se LDK-ja do të vazhdojë të kundërshtojë çdo tentativë për të legjitimuar, sipas tij, qëndrimin e padrejtë të Kurtit në pozitën e kreut të ekzekutivit, duke theksuar se vendit i duhet një qeveri me legjitimitet të plotë demokratik.
Çka tha Kurti dje?
“Ju gjithmonë e dini që kam hyrë në çerekun e dytë të vitit të pestë të mandatit të plotë. Çdo opozitë demokratike përpiqet që t’ia shkurtojë mandatin qeverisë. Përveç opozitës kosovare, e cila, siç jeni dëshmitarë të gjithë ju, po e zgjat mandatin e qeverisë Kurti. Dikush edhe mund të mendojë se kemi marrëveshje” – tha ai.
Kurti madje tha se ‘nuk ka shpjegim për situatën në të cilën po kalojnë institucionet e Kosovës”.
“Pra, ne si qeveri në detyrë kemi marrëveshje me opozitën aktuale që të qëndrojmë sa më shumë në pushtet. Por ju siguroj që kjo nuk është e vërtetë. Nuk kam shpjegim për këtë sjellje nëpër të cilën po kalojnë institucionet e Kosovës”.
“Në ndërkohë që nuk ka qeveri të re, Kurti 3 ka qeveri në detyrë. Ky është realiteti që nuk kam çfarë t’i shtoj”, tha ai. /GazetaSinjali/