Ligjvënësit izraelitë kanë reaguar ndaj armëpushimit midis Izraelit dhe Iranit, i cili hyri në fuqi të mëngjesin e sotëm.
Disa kanë lavdëruar arritjet ushtarake dhe të inteligjencës së Izraelit në konfliktin e tij 12-ditor me Iranin, ndërsa të tjerë kanë vënë në dukje se tani ishte koha për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza.
Avigdor Lieberman, një ish-ministër i mbrojtjes dhe kryetar i partisë Yisrael Beiteinu, paralajmëroi se nuk kishte “asgjë më të rrezikshme sesa të lësh pas një luan të plagosur”. Ai vlerësoi “arritjet mahnitëse ushtarake” të Izraelit, por paralajmëroi se “në vend të një dorëzimi pa kushte, bota po hyn në një proces të vështirë dhe shterues negociatash”.
Yair Lapid, udhëheqësi i opozitës, tha se “ky ishte momenti për ta mbyllur atë front” në Gaza. “Për t’i sjellë pengjet në shtëpi, për t’i dhënë fund luftës. Izraeli duhet të fillojë rindërtimin”, tha ai.
Yair Golan, kryetar i Demokratëve, tha se fushata e Izraelit në Iran “përfundoi me një arritje të qartë në siguri”. Në një postim në X, Golan bëri thirrje që marrëveshja e armëpushimit të “shqyrtohet nga afër”, duke pyetur “a e pengon ajo Iranin të pajiset me armë bërthamore dhe çfarë sanksionesh, përfshirë rifillimin e luftimeve, do të vendosen nëse ajo shkelet”. Golan bëri thirrje gjithashtu për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza.
Bezalel Smotrich, ministri i financave i ekstremit të djathtë, tha se Izraeli ka arritur “një fitore dërrmuese në fushatën kundër Iranit që do të regjistrohet me lavdi në historinë e Shtetit të Izraelit”. Smotrich tha se një “kërcënim i menjëhershëm ekzistencial” është hequr. “Tani me gjithë forcën tonë në Gaza”, tha ai, “për të shkatërruar Hamasin dhe për të kthyer pengjet tona”. /Top-Channel/