Një valë presioni psikologjik, e kombinuar me sulme precize ushtarake, po shënjon një kapitull të ri të konfliktit të heshtur mes Izraelit dhe Iranit.
Sipas një raportimi ekskluziv të Washington Post, të përcjellë edhe nga Corriere della Sera, shërbimi sekret izraelit Mossad ka ndërmarrë një operacion intimidues ndaj rreth 20 gjeneralëve iranianë.
Operacioni nisi menjëherë pas një serie bombardimesh ajrore izraelite ndaj qendrave të komandës në Teheran, në kuadër të ofensivës “Rising Lion”. Raportohet se një nga gjeneralët mori një telefonatë direkte në celularin e tij personal, ku një agjent i Mossadit i komunikoi një mesazh të qartë:
“Keni 12 orë kohë për të regjistruar një video në të cilën hiqni dorë nga regjimi dhe të largoheni bashkë me familjen. Në të kundërt, do të keni të njëjtin fat si kolegët tuaj“, u dëgjua nga ana tjetër e telefonit.
“Po ju telefonoj nga i njëjti vend që dy orë më parë u dërguan në ferr Bagheri-n, Salami-n dhe Shamkani-n”, shtoi agjenti me intimidim.
Këta janë emra të njohur të Gardës Revolucionare Iraniane (Pasdaran): të parët janë eliminuar, ndërsa Shamkani u plagos rëndë, por më pas u shfaq sërish në publik me një deklaratë sfiduese.
Gazeta italiane Corriere della Sera thekson se nuk është e qartë nëse gjenerali ka pranuar ultimatumet, apo nëse ka dërguar videon përmes Telegram-it. Megjithatë, ai rezulton ende gjallë.
Besohet se qëllimi i këtij veprimi të sofistikuar psikologjik ishte i dyfishtë:
1. Të përçajë strukturat ushtarake iraniane, duke përhapur pasiguri dhe frikë mes atyre që mund të zëvendësonin komandantët e vrarë.
2. Të provokojë panik dhe mosbesim në hierarkinë e regjimit, duke goditur jo vetëm në aspektin fizik por edhe në moralin e brendshëm të ushtrisë iraniane.
Sipas Corriere della Sera, Izraeli ka eliminuar edhe dy zëvendësues, të cilët qëndruan në detyrë vetëm për pak ditë, përpara se të goditeshin.
Kjo ngjarje përforcon idenë e një “lufte të padukshme”, ku përveç sulmeve ushtarake, përdoren taktika të sofistikuara të inteligjencës për të destabilizuar armikun nga brenda. Për Mossadin, kjo është një formë e qartë e luftës psikologjike, ku çdo telefonatë mund të jetë po aq vdekjeprurëse sa një raketë./reporteri/