Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të humbasë një financim prej 90 milionë eurosh nga Banka Botërore, i cili është alokuar që nga maji i vitit të kaluar, por ende nuk është ratifikuar nga Kuvendi për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
“Janë 90 milionë euro të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat po presin ratifikimin nga Kuvendi që nga muaji maj i vitit të kaluar,” tha Murati, duke shtuar se “ky lloj financimi është i veçantë sepse ka kamatë 0%”.
Ai thekson se shumë shtete do të dëshironin të përfitonin nga një financim i tillë, por Kosova është ndër shtetet e rralla që e ka marrë atë falë reformave të ndërmarra dhe menaxhimit të mirë të financave publike.
Megjithatë, Murati kritikon opozitën për bllokadën e procesit.
“Partitë opozitare gjatë legjislaturës së kaluar kishin refuzuar të votonin ratifikimin, ndërsa tash po e pamundësojnë edhe konstituimin e legjislaturës së re duke mos marrë fare pjesë në votim”, ka shkruar Murati.
Ai paralajmëron se “Banka Botërore e as bota nuk mund të na presin pafundësisht”.
“Nëse marrëveshja për 90 milionë euro me kamatë 0% nuk ratifikohet deri në shtator, ekziston rreziku shumë i lartë që këto mjetet t’i merren Kosovës dhe ti jepen një shteti tjetër”, ka shkruar Murati.
Ministri në detyrë ka apeluar që opozita të reflektojë dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit e pastaj edhe të votojë këtë marrëveshje.
“Inatet politike nuk do të duhej t’i kushtonin shtetit tonë”, u shpreh Murati. /Telegrafi/