Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka filluar hetime preliminare ndaj dy zyrtarëve policorë në Drejtorinë Rajonale të Pejës, një nënkolonel dhe një kapiten, të cilët dyshohen për përfshirje në një rast të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Hetimet janë nisur sipas detyrës zyrtare, pas publikimeve në media për një incident të ndodhur më 28 maj 2025 në rrugën “Shpëtim Bojku” në Pejë, ku disa zyrtarë policorë kishin shoqëruar në stacion një person që nuk kishte qenë i përfshirë në një aksident trafiku, por që kishte penguar zyrtarët në kryerjen e detyrës.
Sipas IPK-së, nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në mënyrë të parregullt në këtë rast, duke mos e proceduar më tutje për hetim dhe pa njoftuar Prokurorinë, si dhe duke e mbyllur rastin me një tikë për kundërvajtje.
Në konsultim me Prokurorinë e Shtetit, hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë veprime paraprake hetimore dhe kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve përkohësisht, derisa të ndriçohen plotësisht të gjitha rrethanat që lidhen me këtë rast. /GazetaSinjali/