Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka konfirmuar se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët kosovarë që aktualisht ndodhen në Izrael, në dritën e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në rajon.
Në një intervistë për Telegrafin, ambasadorja Ziv ka deklaruar se shefja e Misionit të Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, znj. Ines Demiri, është në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët kosovarë atje.
Ajo ka shtuar se është duke u bashkërenduar veprimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit dhe atë të Kosovës.
“Zonja. Ines Demiri, është në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët kosovarë që ndodhen në Izrael, si dhe me Ministritë e Punëve të Jashtme të Izraelit dhe të Kosovës, dhe ata po ndihmojnë të gjithë qytetarët kosovarë që janë të interesuar të largohen nga vendi ose që kanë nevojë për lloje të tjera ndihme”, ka bërë të ditur ambasadorja Ziv.
Kjo vjen në kohën kur tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë krijuar shqetësime të mëdha për stabilitetin rajonal dhe sigurinë e civilëve në Lindje të Mesme./Telegrafi/.