Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon zgjidhje urgjente për pengesat në regjistrimin e automjeteve

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shpreh shqetësimin e saj të thellë për vështirësitë që po u shkaktohen shumë bizneseve me rastin e regjistrimit të automjeteve, si pasojë e Nenit 89, paragrafi 4 të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2024.

DHTIK thekson se ky përcakton se pronari i mjetit nuk mund të bëjë regjistrimin, vazhdimin e regjistrimit apo ndërrimin e pronarit të mjetit, pa shlyer paraprakisht të gjitha gjobat për kundërvajtje në trafikun rrugor.

“Kjo dispozitë ka krijuar një barrë të konsiderueshme administrative dhe financiare për bizneset, veçanërisht për ato kompani që operojnë me numër të madh automjetesh në sektorë të tillë si; transporti, logjistika, institucionet financiare, ndërtimtaria, shërbimet teknike, etj.

Gjithashtu, i njëjti prodhon efekte negative për bizneset sepse pengon aktivitetin ekonomik të tyre duke iu pamundësuar bizneseve që të dalin në qarkullim dhe të ofrojnë shërbime dhe realizim të kontratave afariste”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, aktualisht, ky nen po zbatohet në mënyrë të njëjtë edhe ndaj automjeteve që janë të regjistruara në emër të institucioneve financiare, pavarësisht se gjobat u përkasin ngasësve individualë, duke shkaktuar probleme të mëdha për to.

“Ky kushtëzim po cenon rëndë dhe po shkakton dëme operacionale dhe financiare për këto institucione, të cilat mbështesin sektorin privat përmes instrumenteve të financimit. Për më tepër, ky zbatim bie ndesh me Ligjin Nr. 03/L-103 për Lizingun, i miratuar në vitin 2009, i cili rregullon marrëdhëniet mes palës që ofron dhe palës që shfrytëzon mjetin”, thuhet tutje.

DHTIK thekson se ky nen krijon probleme me transparencën administrative.

“Në disa raste, bizneset nuk janë të informuara me kohë për gjobat e shqiptuara, veçanërisht për gjobat e pa-dorëzuara fizikisht ose ato të krijuara me radarë të automatizuar. Mungesa e mekanizmave alternativë: Aktualisht nuk ekziston mundësia që bizneset të regjistrojnë automjetet dhe paralelisht t’i kontestojnë ato.

Andaj, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, kërkon që kjo formë e kushtëzimit të bizneseve të ndalohet menjëherë sepse cenon klimën e përgjithshme afariste dhe konkurruese në vend, si dhe pengon zhvillimin e lirë të aktivitetit ekonomik”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Telegrafi/

Read Previous

Murtaja e bagëtive në Shqipëri, AUV-i me thirrje për fermerët në Kosovë

Read Next

Si po shpërndan Rusia propagandë në gjuhën shqipe?