Morata: Nuk ia vlen të rikthehem në kombëtare për t’u sharë dhe fyer nga të tjerët

“A ia vlen të shkoj në kombëtare për t’u fyer dhe sharë? Jo”. Këto janë fjalët e Alvaro Morata për gazetën spanjolle Marca. Një reflektim që futbollisti e shpreh pas asaj që ndodhi në finalen e Nations League, ku penalltia e humbur prej tij i dha trofeun Portugalisë.

Pas asaj ngjarje, ai mori mjaft kritika, akuza e kërcënime. Kapiteni i kombëtares spanjolle ka deklaruar se ndihet i shëruar nga problemi i shëndetit mendor që pësoi vitin e kaluar para Kampionatit Europian, por pranon se “nuk ia vlen” të vazhdojë t’i përgjigjet thirrjes në kombëtare nëse kjo do të thotë të ngacmohet.

“Është e mundur që nuk do të jem këtu në shtator”, tha Morata, tashmë 32 vjeç. Ai zbuloi çështjet që ndikuan në vendimin e tij për t’u larguar nga Atlético: “Kisha frikë nga gjithçka. Kisha shumë mendime të tmerrshme, vetëshkatërruese. Madje mendoja për të falsifikuar dëmtimet në mënyrë që të mos jem aty”.

Kapiteni i Kombëtares është konsultuar me mjekun psikiatër të rekomanduar nga partnerja e tij për mjekim dy muaj para fillimit të Euro 2024. “Kur e pashë, ai kishte dhimbje të pabesueshme, ishte shumë i stresuar dhe ishte thellësisht i dëshpëruar. Ai nuk donte të shkonte në Kampionatin Evropian dhe donte të linte futbollin”, thotë psikiatri Pilar de Castro Manglano.

Morata vlerëson mbështetjen e trajnerit të kombëtares Luis de la Fuente: “Isha në momentin më të errët në të cilin mund të jetë një person dhe ai më besoi mua. Në planin personal, ai ishte trajneri më i mirë që kam pasur ndonjëherë, sepse ai dinte jo vetëm ta kuptonte problemin tim, por edhe ta ndajë atë dhe ta jetojë sikur të ishte i tij“. /Telesport.al/

Read Previous

Bislimi kritikon Prokurorinë: Qëllimi i intervistimit tim ishte prodhimi i lajmit medial

Read Next

Takohen Agim Ademi dhe Franco Foda, çfarë u bisedua?