BE ngre shqetësime për drejtësinë dhe korrupsionin në Shqipëri

Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian pritet të hasë vështirësi, sipas një dokumenti jo publik (“non-paper”) të Komisionit Europian, i cili thekson domosdoshmërinë për përmbushjen e kapitujve 23 dhe 24 – të fokusuar në drejtësinë, të drejtat themelore, lirinë dhe sigurinë – para çdo hapi tjetër në negociatat e anëtarësimit, shkruan Gazeta Sinjali.

Dokumenti, i dërguar grupeve të punës që ndjekin ecurinë e Shqipërisë në procesin negociator, vë në pah se:

“Progresi në grupin e kapitujve do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave… Asnjë kapitull nuk mund të mbyllet përpara se Shqipëria të arrijë këtë objektiv”.

Komisioni ngre shqetësime serioze për ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor, duke iu referuar reagimeve pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në shkurt të vitit 2025.

“Reagimet publike nga degët ekzekutive dhe legjislative, përfshirë përpjekjet për të ushtruar presion mbi SPAK dhe gjyqësorin, janë thellësisht shqetësuese”, thuhet në dokumentin e cituar nga A2 CNN.

BE gjithashtu kritikon mungesën e hetimeve financiare të qëndrueshme në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke theksuar se Shqipëria ende nuk ka demonstruar praktika të besueshme në këtë drejtim.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Begaj: Sanksionet e vendosura ndaj Kosovës janë të padrejta

Read Next

Televizioni shtetëror iranian u thotë izraelitëve të evakuohen nëse duan të mbesin gjallë