Rutte bën thirrje për depërshkallëzim pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi të premten se është “jetike” që aleatët e Izraelit të punojnë për të ulur tensionet, pasi Izraeli goditi rreth 100 objektiva në Iran, përfshirë objektet bërthamore dhe ushtarake në Teheran.

“Mendoj se është jetike që shumë aleatë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të punojnë, që tani, për de-përshkallëzimin e situatës. E di që ata po e bëjnë këtë dhe mendoj se kjo është tani përparësia kryesore,” tha Rutte gjatë një konference për shtyp në Stokholm.
“Kjo ishte një veprim i njëanshëm nga Izraeli,” shtoi ai, duke theksuar se situata është në zhvillim të shpejtë, transmeton Klankosova.tv.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, paralajmëroi Izraelin për një “fat të hidhur dhe të dhimbshëm” pas sulmeve që vranë shefin e shtabit të forcave të armatosura, komandantin e Gardës Revolucionare dhe disa shkencëtarë bërthamorë të Iranit.

Më vonë, ushtria izraelite njoftoi se Irani kishte lëshuar 100 dronë drejt Izraelit si kundërpërgjigje, të cilët po kapeshin nga mbrojtja ajrore jashtë territorit izraelit.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, paralajmëroi për një situatë “shumë serioze dhe të tensionuar” në Lindjen e Mesme.

“Ajo që po ndodh tani në një rajon të paqëndrueshëm, rrezikon ta përkeqësojë edhe më shumë situatën,” tha Kristersson. Ai shtoi se ekziston një “konsensus i gjerë” se Irani nuk duhet të lejohet të zhvillojë armë bërthamore, por theksoi se kjo çështje duhet të kthehet në “tryezën e negociatave”.

“Skenari aktual mund të rrisë më tej rrezikun e kërcënimeve terroriste dhe aktiviteteve të tjera të rrezikshme,” përfundoi ai.

Read Previous

Gjenden dy mjete të pashpërthyera, në Gjakovë e Rahovec

Read Next

​Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës, KQZ tregon periudhën e aplikimit