​“Mos na lini pa punë”, bizneset kërkojnë tranzicion në tregun e lirë të energjisë

“Mos na lini pa punë”, “Liberalizmi i shpejtë i rrymës – monopol, jo konkurrencë”, “Mos na ndalni prodhimin”, “Mos e favorizoni importin”, “Mos na shumëfishoni faturat”, “Mos e ndalini zhvillimin ekonomik” janë disa nga thirrjet e bizneseve dhe punëtorëve të sektorit privat në protestën e sotme paqësore në Prishtinë.

Protesta, e organizuar nga dhomat e tregtisë dhe industrisë në Kosovë, në bashkëpunim me përfaqësues të sektorit privat, ka për qëllim të kërkojë një fazë tranzicioni në procesin e daljes në tregun e lirë të energjisë.

Kjo protestë vjen si reagim ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që nga 1 qershori ka vënë në fuqi rregullat për funksionimin e tregut të lirë të energjisë elektrike. Organizatorët theksojnë se ky veprim është i parakohshëm dhe po rrezikon ekzistencën e shumë ndërmarrjeve në vend.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi tha se kërkesat e bizneseve janë të qarta dhe të arsyeshme. Ai shtoi se për katër vjet, importi është rritur për 800 për qind më shumë se eksporti i Kosovës dhe se një vazhdim i këtij trendi do të ketë pasoja të rënda ekonomike.

Krasniqi u shpreh se Qeveria i ndau para disa ditëve mbi 30 milionë euro për pagat të sektorit publik e sipas tij “aq i duhen sektorit privat për të mos ndalet puna”.

“Tregu i lirë nuk mund të fillojë me një monopol, këto janë kushtet tona, asgjë më shumë. Qeveria para disa dite i ka dhënë mbi 30 milionë euro për me ja rrit pagat punëtorit të sektori publik, aq na duhet neve për t’i ruajtur 150 mijë vende të punës, asnjë më shumë. 30 milionë euro edhe BE i ka dhënë që me dalë në tranzicion ngadalë në treg të lirë, jo me monopol. Për katër vjet importi është rrit 800 për qind mes shumë se eksporti i Kosovës. Nëse vazhdon kjo, importi do të rritet 8 mijë për qind dhe ne do të mbetemi rrugëve”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna, theksoi se nuk po kërkohet mëshirë, por një të drejtë. Ai i bëri thirrje qeverisë dhe ZRRE-së që të ndërhyjnë sa më shpejt për të shmangur ndikimin negativ në sektorin privat.

“Nuk jemi sot këtu për luks, të kërkojmë mëshirë, por, jemi të kërkojmë një të drejtë tonën që na takon. Energjia elektrike është dritë, është motor i zhvillimit ekonomik, dhe buka e cila piqet vjen prej energjisë elektrike që konsumojnë qytetarët e Republikës së Kosovës. Çdo ndërhyrje në çmimin e energjisë është ndërhyrje në standardin jetësor të qytetarëve. Ne të gjithë e kemi një kërkesë të vetme, na jepni një fazë të tranzicionit, përgatiteni tregun, më pas edhe një paketë që kanë pas të gjitha vendet e rajonit, Evropës dhe më gjerë që kanë ndihmuar biznesin të mos vërejë efektin negativ, të mos ndikojë në mbyllje të biznesit, dhe në uljen e standardit të qytetarëve. Nuk jemi fajtor që së paku nuk është përgatitur tregu, nuk kemi konkurrencë, kemi monopol. Nuk është asnjë biznes kundër daljes në tregun e lirë, duam të kemi konkurrencë, duam të dalim me vullnetin tonë, jo në mënyrë të dhunshme. Mos na mbyllni bizneset, vendet e punës dhe mos na leni pa të ardhura. Kërkesa jonë është që brenda 10 dite ZRrE të pezullojë, qeveria të ndihmojë bizneset”, ka thënë Rafuna.

Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Kushtrim Ajvazi ka bërë thirrje po ashtu qeverisë në detyrë të reflektojë karshi kërkesave të biznesit.

“I bëj thirrje qeverisë në detyrë, ZRrE-së, nuk ka tranzicion kur nuk ka konkurrencë në tregun e lirë. Ju lutem shumë mos na detyroni të rrisim çmimet, respektojeni ligjin. Energjia është për zhvillim dhe jo për shkatërrim të biznesit prodhues. Ju lutemi reagoni sa nuk është vonë”, ka thënë ai.

Në protestë foli edhe Adem Qorrolli.

“Këta mbrapa neve janë ata që ndërtuan ura dhe sjellën gjithçka në vendin tonë, janë ata që ndërtuan edhe qeveri dhe ministri. Mos ja merrni rininë, mos ja merrni pagat. Jo tarifave pro ekonomisë, pro demokracisë dhe pro zhvillimit ekonomik në qendër bizneset e Republikës së Kosovës”, ka thënë Qorrolli.

Derisa në protestë morën pjesë edhe shumë qytetarë të cilët përkrahen vendimin e bizneseve. Sipas tyre protestat do të vazhdojnë derisa të merret parasysh kërkesa tyre.

“Duke pasur parasysh shtrenjtimin e energjisë është shumë e pakapshme dhe shpresojmë që të ndërmarrë diçka qeveria apo ZRrE. Nuk do të ndalen protestat derisa të bëhet diçka. Pranojmë, por jo në këto kushte, duhet dhënë pak kohë fabrikave”, ka thënë ai.

Më 29 maj bizneset dolën në protestë si shenjë pakënaqësie lidhur me procesin e daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke bllokuar hyrje-daljet në Prishtinë. /KosovaPress/

Read Previous

Presidenti i PSG-së: Unë dhe Mbappe kemi patur një konflikt, nuk pendohem për asgjë

Read Next

Kurti: Prej momentit të arrestimit të Arbnor Spahiut jemi angazhuar maksimalisht që ai të lirohet