Merz: Disa ligjvënës amerikanë s’e kuptojnë sa serioze është fushata e riarmatimit të Rusisë

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se disa ligjvënës amerikanë nuk e kuptojnë shkallën e fushatës së riarmatimit të Rusisë, duke shprehur shqetësim për mungesën e vetëdijes në Uashington lidhur me kërcënimin që paraqet Moska.

Deklaratat e Merz-it erdhën një ditë pas takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa foli në një konferencë biznesi në Berlin, transmeton Reuters.

“U takova me disa senatorë në Capitol Hill dhe u thashë atyre të shikonin riarmatimin që po bën Rusia,” tha Merz.

“Ata qartësisht nuk kanë idenë se çfarë po ndodh atje tani,” shtoi ai, pa përmendur emrat e senatorëve me të cilët ka diskutuar.

Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, Rusia ka shtuar ndjeshëm kapacitetet e saj ushtarake, duke e vënë prodhimin e armatimit në funksion 24 orë në ditë. Moska gjithashtu ka lidhur marrëveshje armësh me Korenë e Veriut dhe Iranin – lëvizje që kanë alarmuar zyrtarët evropianë. /GazetaSinjali/

Read Previous

Albulena Haxhiu: I kemi numrat për formimin e Qeverisë Kurti 3

Read Next

Furnizimi me rrymë në fshatin Dobrosh, aspak i qëndrueshëm