Me ftesë të Kongresit Amerikan, Presidentja Osmani ka udhëtuar për të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet mbahet në qytetin Dayton në SHBA.
Ky sesion sivjet shënon edhe 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Daytonit për Bosnjën dhe Hercegovinën, prandaj edhe e tërë ngjarja do t’i dedikohet përpjekjeve për paqe e siguri në Ballkanin Perëndimor.
“Në këtë ngjarje të rëndësishme marrin pjesë edhe presidentë të vendeve të tjera nga rajoni, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, BE-së e SHBA-ve”, bëhet e ditur nga presidenca.
Në agjendë të presidentes Osmani janë një sërë aktivitetesh, përfshirë fjalime në darkën kryesore si dhe në panele, e po ashtu takime me delegacionet pjesëmarrëse.
Ndryshe, së fundi presidentja Osmani ishte për vizitë në Zvicër. /Telegrafi/