Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kritikuar ashpër udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Kanadasë, për qëndrimet e tyre kundër operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Netanyahu e cilësoi liderin laburist britanik, Sir Keir Starmer, si “në anën e gabuar të historisë” pas thirrjeve të këtij të fundit për t’i dhënë fund luftës, shkruan Gazeta Sinjali.
Netanyahu lidhi kritikat e udhëheqësve perëndimorë me një incident të ndodhur në Uashington D.C., ku u vranë dy punonjës të ambasadës izraelite, Yaron Lischinsky dhe Sarah Lynn Milgrim. Sipas tij, vrasjet ishin akt i terrorizmit me motiv antisemit, jo një krim i rastësishëm.
“Yaron dhe Sarah nuk ishin viktima të një krimi të rastësishëm. Terroristi që i qëlloi mizorisht ata e bëri këtë për një arsye dhe vetëm një arsye – sepse donte të vriste hebrenjtë. Dhe ndërsa po e kryente aktin, ai brohoriste ‘Lironi Palestinën!’” – tha Netanyahu në deklaratën e tij.
Kryeministri izraelit akuzoi udhëheqësit perëndimorë për dështim në përkrahjen e Izraelit në luftën kundër terrorizmit dhe për nxitje të retorikës që, sipas tij, fuqizon sulmet ndaj qytetarëve hebrenj jashtë Izraelit. Kjo deklaratë e Netanyahut vjen mes një rritjeje të tensioneve ndërkombëtare dhe kritikave të ashpra ndaj pasojave humanitare të ofensivës izraelite në Gaza.