KMDLNj dënon ashpër kërcënimin me jetë të presidentes Osmani

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka reaguar ndaj kërcënimeve me jetë që i janë drejtuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani përmes postës elektronike.

Në reagimin e KMDLNj-së thuhet se kërcënimet, ndonëse me përmbajtje të paqartë, “nuk ndërlidhen me detyrimet kushtetuese që i ka presidentja”, duke lënë të nënkuptohet se motivet e mundshme mund të jenë politike.

Organizata e të drejtave të njeriut ngre alarmin për një trend në rritje të përdorimit të kërcënimeve si mjet politik.

“Kohëve të fundit, shkaku i një eskalimi të raporteve ndërpartiake, është sforcuar kërcënimi si mjet për arritjen e qëllimeve politike”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj thekson se përveç figurave politike dhe publike, “cak i vazhdueshëm i sulmeve dhe kërcënimeve janë gazetarët”, ndërkohë që dënimet për këto raste vazhdojnë të jenë “thuaja simbolike”.

Në deklaratën e saj, KMDLNj e dënon fuqishëm aktin ndaj Presidentes Osmani dhe bën thirrje për hetim të menjëhershëm.

“KMDLNj e dënon kërcënimin ndaj Presidentes Osmani dhe kërkon nga Policia që ta trajtojë këtë dhe rastet e ngjashme me urgjencë, në mënyrë që të parandalojnë pasoja më të rënda. Policia e Kosovës ka kapacitet të mjaftueshëm profesional dhe përvojë të suksesshme në trajtimin e këtyre rasteve, andaj pritet që kërcënuesi të arrestohet shpejt dhe të japë përgjegjësi para ligjit”, thuhet në fund të reagimit. /Telegrafi/

Read Previous

​OBSH-ja miraton marrëveshjen për pandemitë

Read Next

Çfarë përmban marrëveshja mes Britanisë dhe BE-së?