Abdixhiku: Italia, mbështetëse e fuqishme e shtetndërtimit të Kosovës

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.

Abdixhiku dhe ambasadori italian kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend.

“Sot, prita në Selinë Qendrore të LDK-së, Ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini. E urova për fillimin e mandatit të tij në Kosovë dhe i urova sukses në detyrën e re. Italia ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fuqishme e pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës – dhe një mike e çmuar në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian. Me ambasadorin Antonini biseduam për zhvillimet politike në vend, sfidat aktuale dhe perspektivën tonë euroatlantike”, ka shkruar Abdixhiku.

I pari i LDK-së, tutje ka bërë të ditur se ambasadorin Antonini e njoftoi edhe për qëndrimet e LDK-së karshi krizës politike.

“E njoftova mbi qëndrimet e fundit të LDK-së mbi krizën e paprecedentë politike në vend. Shpreha gatishmërinë tonë për bashkëpunim të ngushtë institucional me ambasadën italiane dhe përfaqësuesit e saj diplomatikë në Prishtinë.

E falënderova për vizitën, i shpjegova dhe gjithë historinë e madhe të LDK-së dhe i urova një mandat të suksesshëm në Kosovë”, ka theksuar Abdixhiku. /Telegrafi/

Read Previous

Dhoma e Tregtisë: Çmimi i energjisë i dëmton bizneset për 130 milionë euro

Read Next

Policia e Kosovës me aksion në veri