Në Raportin e Policisë së Kosovës për 24 orët e fundit janë raportuar pesë raste të dhunës në familje.
Në Drenas është arrestuar një burrë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës grua. Të dyshuarit i është gjetur dhe sekuestruar nga Policia një pushkë gjuetie dhe nëntë fishekë. I dyshuari me Vendim të Prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
“Më 17.05.25 është raportuar se i dyshuari mashkull ka ushtruar dhunë ndaj ankueses femër kosovare. Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari dhe i është sekuestruar një armë zjarri – pushkë gjuetie, si dhe nëntë copë fishekë. Me Aktvendim të Prokurorit Kujdestar i dyshuari ndalohet në Qendrën e Mbajtjes.” – thuhet në Raport.
Një burrë tjetër është arrestuar në Prishtinë, pasi ka sulmuar fizikisht viktimën grua. Ndërsa, me Urdhër të Prokurorit Kujdestar rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.
Rasti ka ndodhur më 18.05.2025, rreth orës 04:00.
Në Podujevë është regjistruar rasti i radhës për “dhunë në familje”, me ç’rast është arrestuar një person, pasi ka kanosur dhe sulmuar fizikisht një viktimë grua.
I dyshuari pas intervistimit me Vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Më 18.05.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare dhe dyshohet se të njëjtën e kishte kanosur. I dyshuari është intervistuar dhe me Vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.” – siç bëhet e ditur në Raportin e Policisë.
Ndërkaq, në Klinë është arrestuar një tjetër i dyshuar, pasi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës grua.
Viktima ka pranuar tretman mjekësor për shkak të lëndimeve të marra, ndërsa i dyshuari me Vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.
Në Gjakovë është regjistruar rasti i fundit për “dhunë në familje” në 24 orët e fundit.
Një burrë është arrestuar pasi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës grua. I njëjti po dyshohet gjithashtu për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.
Viktima më pas ka pranuar edhe tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit i është sekuestruar arma e zjarrit dhe i njëjti me Vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin viktima pas pranimit të tretmanit mjekësor dhe pas intervistimit është dërguar në shtëpinë e sigurt. I dyshuari është arrestuar, si dhe i njëjti e ka dorëzuar një armë të zjarrit dhe pas intervistimit me Vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.” /Kallxo.com