Konfirmohen 10 raste me fruth në gjashtë komuna

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka konfirmuar se në Kosovë deri më tani janë regjistruar 10 raste të fruthit në disa komuna.

Rastet janë regjistruar në Ferizaj, Shtime, Lipjan, Graçanicë, Fushë Kosovë dhe Prishtinë.

Zyrtarja për informim në IKSHPK, Era Pireva, në një përgjigje për Telegrafin ka bërë të ditur se “mbulueshmëria me vaksinën MMR me dozën e parë për grupmoshën 1 deri në 2 vjeç është 89% për vitin 2024, ndërsa doza e dytë, e cila jepet për grupmoshën 6 deri në 7 vjeç, është 94%.”

Përveç vaksinimit të rregullt, autoritetet shëndetësore janë duke marrë masa shtesë për të identifikuar fëmijët e pavaksinuar.

“Është duke u bërë konfirmimi i statusit vaksinor për fëmijët 1-5 vjeç në të gjithë vendin, dhe janë duke u kontaktuar prindërit për të vaksinuar fëmijët që për arsye të ndryshme nuk e kanë marrë vaksinën me kohë”, sqaroi Pireva.

IKSHPK ka theksuar se është duke vazhduar fushatën e ndërgjegjësimit për rëndësinë e vaksinimit dhe ka dërguar njoftime zyrtare te institucionet shëndetësore për të rritur vigjilencën në terren.

“Po vazhdojmë njoftimin e prindërve për situatën epidemiologjike me fruth dhe rëndësinë e vaksinimit. Gjithashtu, janë lëshuar shkresa zyrtare për institucionet shëndetësore të KPSh dhe ShSKUK për ndjekjen e protokolleve të identifikimit dhe menaxhimit të rasteve”, ka deklaruar më tej Pireva.

Fruthi, një infeksion viral i cili përhapet lehtësisht nga personi në person, mund të shkaktojë komplikacione serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël, dhe në disa raste mund të jetë fatale.

Megjithatë, vaksina MMR  është një mjet efektiv për të parandaluar këtë sëmundje dhe për të shmangur shpërthimet masive.

IKSHPK u bën thirrje të gjithë prindërve që të sigurojnë se fëmijët e tyre janë të vaksinuar në përputhje me kalendarin e vaksinimit. /Telegrafi/

Read Previous

OVL-UÇK kërkon hetim ndërkombëtar për shkeljet në Speciale

Read Next

Raportohen pesë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit