Deputetja boshnjake Duda Balje ka deklaruar se nuk ndjen asnjë presion në lidhje me zhvillimet e fundit politike dhe se qëndrimi i saj është i qartë dhe i njohur për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Vetëvendosje e din qëndrimin tim. Kam përjetuar kohëra të vështira pas disa deklaratave, por kam dalë faqebardhë dhe qëndrimin nuk e ndryshoj”, ka theksuar Balje, duke iu referuar komenteve që qarkulluan për takime me akterë të Serbisë.
Ajo mohoi kategorikisht çdo mundësi për bashkëpunim me subjektet politike serbe.
“Nuk ka kurrfarë bashkëpunimi me serbët. As nuk kemi pas presion, as ndonjë votë nga ana e tyre”, u shpreh Balje.
Duke folur për krizën institucionale dhe procesin e zgjedhjes së presidentit apo formimit të institucioneve të reja, Balje u shpreh se topi është ende në fushën e partive shqiptare.
“Partitë shqiptare duhet së pari të bëjnë marrëveshje mes vete. Presidentja ka lënë edhe një kohë shtesë, që ndoshta mund të arrihet ndonjë marrëveshje. Nëse jo, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Por nëse as Kushtetuesja nuk jep një përgjigje decizive, kriza do të vazhdojë – dhe kjo është shumë keq për shtetin e Kosovës”, paralajmëroi ajo./Koha.net