Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka deklaruar nga Antalia e Turqisë, ku po merr pjesë në bisedimet e NATO-s, se SHBA-ja dëshiron progres brenda ditëve, në negociatat ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë që pritet të nisin të enjten në Stamboll.
“Donald Trump është i hapur ndaj çdo mekanizmi që do të çonte në paqe në Rusi dhe Ukrainë. SHBA-ja dëshiron të jetë ndihmuese dhe këmbëngul se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin, por ka një zgjidhje diplomatike. Uashingtoni dëshiron të shohë përparim në dy ditët e ardhshme”, ka thënë Rubio, i cili pritet të jetë po ashtu pjesë e bisedimeve mes dy vendeve.
Bisedimet Ukrainë-Rusi ishin kërkesë e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili në një deklaratë të dielën vonë, ka caktuar 15 majin dhe Stambollin për këto negociata.
Kërkesa e Putinit ka ardhur një ditë pas një vizite që liderët kryesorë evropianë, përfshirë kancelarin gjerman, Friedrich Merz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer kanë bërë në Kiev, e pas të cilës ata kërkuar një armëpushim 30-ditor i cili do të hynte në fuqi që nga e hëna.
Propozimi është mbështetur menjëherë nga BE-ja dhe presidenti amerikan, Donald Trump. Trumpi madje kishte kërkuar edhe bisedime të menjëhershme, kërkesë kjo që shtyu presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të kërkonte takim sy më sy me Putinin, po më 15 maj dhe po në Stamboll.
Për tri ditë me radhë, Kremlini nuk ka treguar nëse Putini do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Zelenskyn, ndërkaq të mërkurën vonë ka bërë publik delegacionin rus për bisedime, i cili nuk përfshinte edhe presidentin rus.
Ndërkohë, Zeleneksy ka deklaruar vazhdimisht se nuk merr pjesë në bisedime, nëse në tryezë nuk është Putini.
Zelensky tashmë ndodhet në Turqi, pasi kishte thënë se do ta priste personalisht homologun e tij rus.