Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka theksuar se mbajtja e zgjedhjeve të reja nuk është një zgjidhje për krizën politike që po kalon Kosova. Ai ka shtuar se vendi ka nevojë urgjente për institucione funksionale dhe se përgjegjësia për formimin e tyre nuk i takon Nismës, por partive që kanë marrë përgjegjësinë më të madhe, shkruan Gazeta Sinjali.
“Momenti është për t’i thirrur përgjegjësisë. Të gjitha palët duhet ta kuptojnë se Kosova nuk e ka luksin të mbetet kështu, pa institucione. Na duhet një qeveri në punë,” tha Limaj.
Limaj po ashtu theksoi se situata ekonomike në Kosovë është tejet e rënduar dhe se duhen ndërmarrë hapa të shpejtë për të shtyrë përpara ekonominë.
“Gjendja ekonomike në Kosovë s’ka qenë kurrë më keq. Duhet ta lëvizim ekonominë, jo të futemi në cikël zgjedhjesh,” theksoi ai.
Kritikoi gjithashtu mungesën e dialogut mes partive politike, duke theksuar se qytetarët i kanë votuar për të ndërtuar institucione, jo për t’u përballur me zgjedhje të tjera. Limaj konfirmoi se Nisma nuk ka pranuar asnjë ftesë për bisedime, por shpreson që partitë të tregojnë përgjegjësi karshi votuesve. /GazetaSinjali/