Një zhvillim ka ndodhur muajin e kaluar ku kërkimet në Google nga shfletuesi Safari kanë rënë për herë të parë pas 22 vjetësh. Lajmi u bë i ditur nga nënkryetari i lartë i shërbimeve të Apple, Eddy Cue, gjatë dëshmisë së tij në gjyqin e Google të mërkurën.
“Kjo nuk ka ndodhur kurrë në 22 vjet,” deklaroi Cue, duke e lidhur këtë rënie me përdorimin gjithnjë e më të madh të mjeteve të Inteligjencës Artificiale.
Apple është duke shqyrtuar integrimin e teknologjisë së AI-së në Safari, ndërsa përdoruesit po anojnë gjithnjë e më shumë kah mjetet si ChatGPT, Perplexity, Gemini dhe Microsoft Copilot për të kërkuar informacione, duke anashkaluar Google si portën kryesore të kërkimit në internet.
Kjo lëvizje ka pasoja të mëdha financiare ku aktualisht Google i paguan Apple rreth 20 miliardë dollarë në vit për të qenë motori i kërkimit i parazgjedhur në Safari. Nëse kërkimet bien, edhe këto të ardhura mund të veniten.
“Kam humbur shumë gjumë duke menduar për këtë,” ka thënë Cue, duke reflektuar mbi ndikimin e mundshëm të humbjes së këtyre të ardhurave në Apple.
Ndërkohë, ndikimi i AI-së në sjelljen e përdoruesve po përhapet gjerësisht, faqet tradicionale të internetit po humbasin trafik, çka për shumë biznese do të thotë më pak klikime, më pak të ardhura dhe më shumë pasiguri.
I pyetur për këtë çështje, nënkryetari i Google Search, Pandu Nayak, u shpreh qartë: “Nuk mund të ofroj asnjë garanci se gjërat do të ndryshojnë.”/Sinjali