Më 11 maj zgjedhjet në Shqipëri, në garë 2.046 kandidatë për 140 vende në Parlament

Më 11 maj 2025 në Shqipëri zgjidhet qeveria e re, e cila pritet të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme. Këtë vit për herë të parë voton edhe diaspora. Brenda dhe jashtë Shqipërisë në zgjedhjet e 11 majit 2025 të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 713.761 shtetas shqiptarë, nga të cilët 114.642 votojnë për herë të parë.

Këto janë zgjedhjet e 11-ta në Republikën e Shqipërisë, pas ardhjes së demokracisë. Në garë janë 2.046 kandidatë, për 140 vende në parlament.

Votimi i diasporës

Për herë të parë në këto zgjedhje voton edhe diaspora. Ky proces realizohet përmes postës. Vota e emigrantëve do të numërohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe do të llogaritet sikur qytetari të kishte votuar në qarkun, ku ai banonte në Shqipëri.

Ky proces ka shkaktuar reagime të shumta, për shkak se ka pasur pakënaqësi nga partitë politike , të cilat e kanë akuzuar KQZ-në për parregullsi, si p.sh. se zarfi ka mbërritur pa fletën e votimit apo se nuk ka shkuar adresën.

Marrëveshja me SPAK-un

Për herë të parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka firmosur një protokoll me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Marrëveshja parashikon masa të përbashkëta për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me zgjedhjet, si dhe krijimin e mekanizmave për shkëmbimin e shpejtë dhe efikas të informacionit mes institucioneve të përfshira.

Sistemi i votimit

Për këto zgjedhje është miratuar një sistem i ri zgjedhor që përfshin një kombinim të listave të mbyllura dhe të hapura. Rreth një e treta e listës së kandidatëve është e mbyllur, dhe emrat janë të fiksuar nga kryetari, ndërsa dy të tretat e tjera janë të hapura. Për këta të fundit këtë herë nuk do të ketë prag. Në fletën e votimit ata janë të vendosur në rend alfabetik, por pas numërimit të votave do të rirenditen dhe më të votuarit do të dalin në krye./ DW

Read Previous

Turqia bllokon llogarinë në X të kryetarit të burgosur të Stambollit, Imamoglu

Read Next

KQZ mblidhet sot