Seanca për konstituimin e Kuvendit, ja çka thotë Gërvalla

Kryetarja e partisë “Guxo”, Donika Gërvalla është deklaruar optimiste se sot do të konstituhet Kuvendi i Kosovës.

Pak para vazhdimit të seancës konstituive, Donika Gërvalla tha se nëse opozita është e gatshme të mos bllokoj seancën konstituive “do të vazhdojnë me procedurat e parapara”. Partia “Guxo” ishte në koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Ne sot e kemi edhe vazhdimin e seancës. Nëse opozita është gati sot të mos bllokoj vazhdimin me procedurat e parapara, jemi shumë optimist dhe të angazhuar që sot të vazhdojmë këtë seancë”, tha Gërvalla.

Vazhdimi i seancës kontituive është paraparë të nis sot në orën 12:00.

Ditën e martë është ndërprerë seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Kryesuesi i seancës Avni Dehari ka ndërprerë seancën për shkak të mos votimit të raportit për konfirmimin e mandatave. Ishin 52 deputetë për, 46 kundër dhe 11 deputetë që abstenuan.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë votuar kundër raportit të komisionit të përkohshëm. Ndërkaq, pro këtij raporti kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Nismës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka cilësuar “sulm brenda institucional dhe zgjedhjeve demokratike”.

Kujtojmë, pas konstituimit të Kuvendit, është mandatari i Qeverisë nga partia e parë fituese Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka 15 ditë, siç e parasheh Kushtetuta, që nga data e mandatimit 15 ditë, që të shfrytëzojë kohën për të siguruar votat e nevojshme për votimin e qeverisë, e cila duhet të ketë së paku 61 vota.

Në rast të dështimit të formimit të qeverisë, i takon partisë së dytë PDK-së të merr mandatin për formimin e qeverisë. /KosovaPress/

Read Previous

Një nga diamantet blu më të rrallë në botë del në ankand

Read Next

Shtrenjtimi i rrymës, reagon KMDLNJ: ZRRE e mbylli qarkun e krimit ekonomik