GTA 6 pritet të sjellë fitime rekord, parashikohen miliona porosi paraprake
Kryeministri Albin Kurti tek ka falënderuar Sekretarin britanik për Punë të Jashtme, David Lammy, për mbështetjen britanike për Kosovë, ka theksuar bashkëpunimin e institucioneve ndërshtetërore, ndërsa ka veçuar atë mes institucioneve të mbrojtjes dhe sigurisë.
Kurti me një pjesë të kabinetit qeveritar pritën Lammyn të martën në darkë. Bashkë me Lammyn ishte edhe e dërguara e posaçme britanike për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce.
“Kryeministri i uroi mirëseardhjen në Kosovë dhe e falënderoi Sekretarin e Shtetit dhe Mbretërinë e Bashkuar për kontributin dhe mbështetjen gjatë etapave të shtetndërtimit dhe miqësinë e partneritetin e ngushtë mes dy vendeve tona. Duke vlerësuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e fuqishme të Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri veçoi edhe atë mes FSK-së dhe institucioneve britanike të mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet në një komunikatë të Qeverisë.
Kurti në takim bëhet e ditur se ka folur për zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, investimet në mbrojtje dhe objektivat e Kosovës për anëtarësim në NATO, Bashkim Evropian e Këshill të Evropës.
Në takim, kryeministri Kurti e Lammy kanë diskutuar edhe për situatën aktuale në rajon e gjepolitike në Evropë.
“Kryeministri Kurti theksoi faktin që ende nuk ka drejtësi dhe llogaridhënie për sulmin terrorist në Banjskë, teksa Millan Radoiçiq endet i lirë dhe i mbrojtur nga aparati shtetëror serb. Shtoi se ai duhet të ekstradohet në Kosovë ku do të ballafaqohej me një gjykim të drejtë për veprat e tij”, përfundon komunikata.
Lammy gjatë ditës së mërkurë do të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani./koha.net/