18 muaj burgim ndaj një personi për kanosje

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit O. M., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, akuzohet për veprën penale, “Kanosja”.
Të pandehurit i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej tetëmbëdhjetë (18) muaj, i cili do të ekzekutohet menjëherë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Ai është shpallur fajtor pasi me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos personin zyrtar në lidhje me punën e saj, të dëmtuarën – gjyqtaren Nj. B., në atë mënyrë që ditën kritike, derisa ishte duke qëndruar në korridorin e kësaj gjykate fillon të bërtas dhe kërcënoi, veprime të cilat i ka vazhduar në sallën e gjykimit dhe kur e dëmtuara-gjyqtarja e çështjes si pasojë e këtyre sjelljeve, ia tërheq vërejtjen të pandehurit. I njëjti i drejtohet me fjalë kanosëse “ a je ti në mend, a je tu e ditë çka je tu fol, je tu shti me u vra dy familje” dhe në momentin kur gjyqtarja merr vendim që i njëjti të largohet nga salla e gjykimit, i pandehuri i drejtohet me fjalët kanosëse, “ unë me ty kam me u marr vesh privatisht”, me çka tek e dëmtuara ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e saj.”

Read Previous

Qeveria holandeze rekomandon qytetarët të pajisen me “pako emergjence 72-orëshe”

Read Next

Kurti takon Koordinatoren e OKB-së