E-Prokurimi ende jashtë funksionit

Web faqja e prokurimit publik “E-prokurimi” ende vazhdon të jetë jashtë funksionit. Aktivitetet e prokurimit në këtë platformë nuk janë duke u shfaqur që nga dita e martë, shkruan Reporteri.net.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka lëshuar një njoftim, ku ka bërë me dije se kjo po ndodhë shkaku i disa problemeve teknike.

KRPP ka njoftuar se ka ndaluar hapjen e ofertave për të gjitha aktivitetet e prokurimit, me datë të hapjes 04.03.2025 dhe do të obligojë Autoritetet Kontraktuese që të zgjasin afatet për dorëzimin e ofertave për të gjitha aktivitetet e prokurimit, me datë të hapjes 04.03.2025.

Ky institucion bëri të ditur se do të merren edhe vendime të tjera për zgjatjen e afateve kohore, varësisht se sa do të zgjasë problemi teknik.

“Aplikimi i ndalimit të hapjes së ofertave dhe zgjatjes së afatit për dorëzimin e ofertave/aplikacioneve për aktivitetet e prokurimit, me datë të hapjes së ofertave në datat e tjera, përveç datës 04.03.2025, do të jetë në varësi të kohëzgjatjes së problemit teknik. Gjithashtu, në varësi të zgjatjes së problemit teknik do të merret vendim edhe për zgjatjen e afateve kohore që kanë të bëjnë me kërkesa për rishqyrtim – Ankesa apo çfarëdo veprimi të ndërlidhur me afate kohore të caktuara”, thuhet në njoftimin e tyre./Reporteri.net/

Read Previous

Policia shqiptoi afër 3 mijë gjoba trafiku për vetëm 24 orë

Read Next

Rruga e gjatë deri te patenta e shoferit në Gjermani